Tronditet sërish Durrësi, plagoset me armë 51-vjeçari

Qyteti i Durrësit është tronditur sërish mbrëmjen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri. Bëhet e ditur se, një i ri ka qëlluar me armë zjarri babanë e tij brenda në banesë, në lagjen nr.16 të qytetit. Si pasojë 51-vjeçari ka mbetur i plagosur në këmbë dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se 51-vjeçari Nerim Mane, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje Efektivat e Policisë, të cilët në sajë të veprimeve hetimore të menjëhershme kanë bërë të mundur identifikimin e autorit. Plagosja ka ardhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta që i dëmtuari ka pasur me djalin e tij shtetasin M.Mane, 25 vjeç. Ky i fundit në debat e sipër ka qëlluar me armë zjarri, në këmbë babain e tij me një pistoletë të kalibrit të vogël”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia bëri të ditur se po punon për kapjen e 25-vjeçarit M.Mane. Edhe mbrëmjen e të mërkurës në qytetin bregdetar ka patur të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë mbetën të plagosur dy persona.

Atentati në Durrës, në shënjestër edhe djali i policit

Djali i një efektivi policie si dhe një sapo i liruar nga burgu u plagosën me armë zjarri mbrëmjen e të mërkurës në qytetin e Durrësit. Alfred Skonja 29 vjeç, person me precedente kriminale dhe Ismail Çyrbja 25 vjeç, marinar, kanë rënë pre e një atentati të ndodhur në lagjen numër 5 mbrëmjen e së mërkurës.
Dy të rinjtë sipas policisë, po qëndronin nën shoqërinë e të tjerë personave, ku në drejtim të tyre është qëlluar me një breshëri automatiku. Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë me katër plumba 29-vjeçari Skonja, si dhe djali i efektivit të policisë 25-vjeçari Çyrbja.
Nga hetimet e para policia dyshon se objekt i atentatit ka qenë pikërisht Alfred Skonja, për shkak të precedenteve të shumta dhe konflikteve që ky i fundit kishte krijuar me të tjerë persona në qytetin e Durrësit.
Sipas policisë, Skonja i arrestuar më 25 gusht të këtij viti për vjedhjen e një automjeti në Krujë, të cilin do ta përdorte në  ekzekutimin e një biznesmeni nga Durrësi, është lënë i lirë nga Gjykata 30 ditë më pas, për mungesë provash. Ndërsa më herët ka qenë i dënuar me dy vite burg për veprën penale të vjedhjes.
Por, pavarësisht se hetimet janë shtrirë pikërisht në jetën kriminale të 29-vjeçarit, policia nuk përjashton mundësinë që objekt i atentatit mund të ketë qenë edhe Ismail Çyrbja, për shkak të detyrës së të atit, i cili është punonjës policie prej vitesh. Policia për ngjarjen shoqëroi 10 persona, mes tyre dy të dyshuar si autorë në krim, ndërsa në vendngjarje sekuestroi 6 gëzhoja.

Artikulli paraprakVetting me votën e vrasësit Prenga!
Artikulli tjetër23 tonët e drogës u kapën sepse Prokuroria shmangu policinë