Dy shpërthime të njëpasnjëshme dhe të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e sotme aeroportin ‘Ataturk’ të Stambollit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se janë regjistruar dy shpërthime në ambientet e aeroportit, ndërsa të shtënat me armë janë dëgjuar në parking.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag deklaroi se deri më tani konfirmohet se kanë humbur jetën mbi 28 persona dhe mbi 100 kanë mbetur të plagosur. Po ashtu, ministri i Brendshëm turk pohoi se bëhet fjalë për dy sulme kamikaze. Po sipas mediave turke, dy kamikazë, të armatosur me kallashnikovë kanë hapur zjarr mbi turmën, e më pas kanë hedhur veten në erë para se të mbërrinin në pikën e kontrollit të sigurisë. Bëhet e ditur se policia ka qëlluar në drejtim të kamikazëve, të cilët janë kundërpërgjigjur. Sipas NTV të Turqisë, katër burra të armatosur janë parë duke ikur nga terminali fill pas shpërthimit.
Dëshmitarë, në vendngjarje pohuan se kanë mbërritur autoambulancat dhe policia, ndërsa ka nisur transporti i të plagosurve drejt spitalit. Po ashtu, nga shpërthimet ka dëmë të shumta materiale. Qytetarët e shumtë në aeroport janë bërë edhe reporterët e parë. Ata kanë postuar foto dhe video pak caste pas shpërthimit, ku tregohet kaosi në aeroport, njerëz të shtrirë në tokë, të tjerë që vrapojnë si dhe dëmtime të shumta. Duke marrë shkas nga kjo situatë, janë pezulluar të gjitha fluturimet drejt Stambollit, ndërsa deri tani nuk raportohet se në aeroport ndodhej ndonjë shtetas shqiptar. Në fillim të marsit edhe Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëronte qytetarët amerikanë të minimizonin udhëtimet drejt Turqisë, “sidomos të rrisnin vigjilencën dhe të bënin kujdes teksa vizitonin zona turistike apo zona të tjera publike”, për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste.
Kujtojmë që aeroporti Ataturk i Stambollit është një nga aeroportet me më fluks në botë. Vetëm në vitin 2015 ai ka shërbyer për më shumë se 60 milionë pasagjerë. Prej kohësh Turqia është goditur nga sulme terroriste, duke shkaktuar kështu dhjetra viktima në njerëz.