Në garën presidenciale amerikane, sondazhet tregojnë demokraten Hillary Clinton në një avantazh të qëndrueshëm ndaj republikanit Donald Trump, ndërkohë që ata përgatiten për konventat e partive të tyre muajin e ardhshëm. Mospëlqimi ndaj kandidatit Trump është shtuar gjatë anketimeve të fundit, por edhe kandidatja Clinton vuan nga një perceptim i lartë negativ. Këta janë tregues që të dy kandidatët kanë punë për të bërë që të përmirësojnë imazhin e tyre përpara zgjedhjeve në muajin nëntor.
Në shtetin Ohio, Hillary Clinton dhe Senatorja e Massachusetts, Elizabeth Warren, bashkojnë forcat ndaj një objektivi të përbashkët, Donald Trump.“Nuk do ta lejojmë Donald Trumpin të falimentojë Amerikën, ashtu siç falimentoi kazinotë e tij!”
E megjithatë, shumica e votuesve nuk i besojnë zonjës Clinton, gjë që edhe e pranoi vetë në Çikago.
“E di se kam për të bërë punë në këtë drejtim. Shumë njerëz përgjigjen në anketime se nuk kanë besim tek unë. Nuk më pëlqen kjo gjë. Është e vërtetë që kam bërë gabime. Nuk njoh njeri që të mos ketë gabuar. Pra, e kuptoj që njerëzit kanë pyetje”.
“Po ndodh diçka që është shumë, shumë e keqe”.
Por, sfidat e zonjës Clinton janë shumë më të pakta se ato të zotit Trump, i cili perceptohet negativisht nga gratë dhe minoritetet.
Ai këmbëngul se do të fitojë, pasi votuesit e shikojnë si kandidati nga jashtë politikës.“Sapo i hyra garës u shfaqa si rebeli, kandidati i jashtëm. Edhe për miqtë e mi. Dhe a e dini pse? Sepse unë do të bëj atë që është mirë për juve. Nuk do të bëj atë çfarë është mirë për ta”.
Por, zoti Trump e ka të vështirë të zhvendosë imazhin e tij nga një kandidat i zgjedhjeve paraprake në një kandidat për zgjedhjet e përgjithshme, thotë Tom DeFrank.“Gjithnjë kam menduar se një pjesë e retorikës së zotit Trump funksionon mirë për audiencat republikane, por kjo do t’i krijojë telashe gjatë vjeshtës”.
Edhe Hillary Clinton ka punë për të bërë, thotë analisti republikan Scot Faulkner.“Megjithë ngarkesën që ajo mbart, ajo është një kandidate e trishtueshme. Ajo është një folëse e dobët. Nuk krijon lidhjen me njerëzit. Vazhdojnë ta prezantojnë çdo herë, sikur të jetë versioni Hillary 7.0”
Zonja Clinton do të përqendrohet në anët negative të zotit Trump, për të nxitur votën demokrate në nëntor, thotë John Fortier.
“Ajo kaq e njohur në politikë, saqë shumë njerëz nuk e kanë qejf dhe e kanë të formuar opinionin e tyre. Kështu që, sfida e vërtetë për Hillary Clinton është të mobilizojë bazën e saj, duke u treguar se Donald Trump nuk është alternativa që dëshirojnë”.
Për shkak të perceptimit të lartë negativ për të dy kandidatët, analistët parashikojnë një fushatë të hidhur me sulme personale.