Trump akuzon kundërshtarët: Po rrjedhin informacione në media

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë hodhën poshtë sugjerimet se publikimi i pritshëm i variantit të plotë të raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi kontaktet e fushatës Trump 2016 me Rusinë do të jetë më i dëmshëm se sa varianti fillestar, në të cilin thuhet se as Presidenti dhe as ndihmësit e tij nuk komplotuan me Moskën që ajo ta ndihmonte për të fituar zgjedhjet.

Presidenti Trump shkruante në Twitter: “Duket sikur ekipi i Bob Mueller-it prej 13 urryesve të Trumpit dhe demokratëve të zemëruar po rrjedhin në mënyrë të paligjshme informacione në shtyp, ndërsa Media e Lajmeve të Rreme sajojnë historira me ose pa burime – burimet nuk kanë më rëndësi për Median tonë të korruptuar dhe të pandershme, ajo është një shaka!”

Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr po shqyrton raportin prej gati 400 faqesh dhe thotë se ka në plan ta publikojë atë në ditët e ardhshme pas heqjes prej tij të disa informacioneve konfidenciale.

Në fund të muajit të kaluar, zoti Barr publikoi një përmbledhje prej katër faqesh të raportit duke thënë se prokurori i posaçëm Mueller kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij nuk kishin bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë. Në të njëjtën kohë, ai tha se prokurori Mueller nuk kishte arritur asnjë përfundim nëse zoti Trump, si president, kishte penguar hetimin.

Përsa i përket çështjes së pengimit të drejtësisë, zoti Barr citonte raportin, duke thënë se: “ndërsa ky raport nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer një vepër penale, ai gjithashtu nuk e përjashton atë”.

Por sipas disa njoftimeve të shtypit, prokurorët e ekipit të zotit Mueller u kanë thënë bashkëpunëtorëve se ishin të zhgënjyer me përmbledhjen e raportit të hartuar nga zoti Barr, duke thënë se varianti i plotë është një rrëfim që e dëmton më tepër zotin Trump për veprimet e tij.

Kundërshtarët demokratë të zotit Trump në Kongres dhe disa republikanë kanë bërë thirrje për publikimin e raportit të plotë të zotit Mueller, madje një komision i kontrolluar nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve votoi javën e kaluar që gjykata të lëshojë urdhër për ta detyruar agjencinë përkatëse ta dorëzojë raportin të plotë.

Ndërkaq, avokati i Presidentit Trump Jay Sekulow tha për ABC News se nuk beson që raporti i plotë të jetë “më i dëmshëm” për Presidentin.

Exit mobile version