Trump anullon takimin me Kim Jong, ja cila është arsyeja

Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se është anuluar takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreno-verior Kim Jong un, pas komenteve të sotme nga autoritetet në Phenian, që u shprehën se Koreja e Veriut është e gatshme për të dyja: ballafaqim bërthamor, ose për bisedime në tryezën e negociatave. Po sot Pheniani u shpreh me terma fyese në adresë të Nënpresidentit Mike Pence, duke e cilësuar si një “politikan kukull”. Komenti përmendet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë si një ndër arsyet për anulimin e takimit të Presidentit Trump me udhëheqësin koreano-verior.
Në një letër të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Trump thotë se ndjehet se ky takim ishte “i papërshtatshëm, në këtë kohë”. Presidenti i SHBA-së tha se koreano-veriorët flasin për aftësitë e tyre bërthamore, por sipas Trump “armët tona janë aq masive dhe të fuqishme sa që i lutëm zotit që asnjëherë të mos kemi nevojë që t’i përdorim”.
Gjithashtu Trump tha se ai mund të kontakojë me Kim Jong Un-in për të caktuar një takim tjetër.
“Bota dhe Koreja e Veriut në veçanti kanë humbur një mundësi të madhe për paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe pasuri të madhe”, shkruan Trump në letrën e tij.
Njoftimi bëhet ndërkohë që Koreja e Veriut përmbushi sot zotimin për të shkatërruar një ndër objektet që përdorej për prova bërthamore, duke kryer shpërthime në Punggye-ri, një rrjet tunelesh nën malin Mantap.
Objekti i provave bërthamore në pjesën e largët veri-lindore të vendit u shkatërrua nga shpërthimet që zgjatën disa orë dhe që u ndoqën në distancë nga gazetarë të huaj.
Koreja e Veriut e kishte bërë të ditur vendimin për ta shkatërruar objektin para se të bëheshin të njohura planet për takim mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Masa ishte përshëndetur si një gjest i vullnetit të mirë nga Pheniani.
Por ekspertët thonë se kjo masë nuk ishte hapi i fundit dhe se nevojitej shumë më tepër për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar administrata Trump Phenianit për çmilitarizim të plotë bërthamor.
Përveç gazetarëve të ftuar, Pheniani nuk kishte lejuar ekspertë të fushës bërthamore të ndiqnin shpërthimet e sotme. Njohës të fushës thonë se edhe pas akteve të ndërmarra sot, objekti nuk është plotësisht jashtë përdorimit, po ashtu Koreja e Veriut ka plot male të tjera ku mund të ndërtohen tunele për prova në të ardhmen.

Exit mobile version