Presidenti Donald Trump i tha të hënën Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan të mos i keqtrajtojë kurdët pasi Shtetetet e Bashkuara të fillojnë tërheqjen e forcave nga Siria.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, thuhej se në një bisedë telefonike që ai pati me zotin Erdogan, zoti Trump “shprehu dëshirën për të bashkëpunuar për shqetësimet që ka Turqia për çështjen e sigurisë në Sirinë verilindore, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për Uashingtonit, që Turqia të mos i keqtrajtojë kurdët, apo pjesëtarë të tjerë të Forcave Demokratike siriane, me të cilët SHBA kanë bashkëpunuar për të luftuar ISIS-in.
Presidenti Donald Trump më parë e paralajmëroi Turqinë se do të përballet me shkatërrim ekonomik nëse godet kurdët kur forcat amerikane të tërhiqen nga Siria.
“Po ashtu, nuk duam që kurdët të provokojnë Turqinë,” tha presidenti Trump në Twiter të dielën në mbrëmje. Pa dhënë detaje të tjera, ai shkruante: “Krijoni 20 milje (32 kilometra) zonë të sigurtë”. Presidenti shkruante gjithashtu se “Rusia, Irani dhe Siria kanë qenë përfituesit më të mëdhenj të politikës afatgjatë amerikane për shkatërrimin e ISIS-it në Siri – armiq natyralë”.
Forcat Demokratike të Sirisë (YPG) të udhëhequra nga kurdët ishin ndër aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik brenda Sirisë.
Turqia thotë se YPG është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka ndërmarrë një luftë të gjatë guerrilase për më shumë autonomi kurde brenda Turqisë.
Turqia e konsideron PKK-në grup terrorist dhe ekziston frika se Turqia do të sulmojë luftëtarët kurdë brenda Sirisë, kur amerikanët të largohen.
Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, iu përgjigj presidentit Trump të hënën, duke e krahasuar YPG-në me militantët e Shtetit Islamik.
“Z. @realDonaldTrump, terroristët nuk mund të jenë partnerët dhe aleatët tuaj,”shkroi ai në Twitter. “Turqia pret që SHBA-ja të respektojë partneritetin tonë strategjik dhe nuk dëshiron të lihet në hije me propagandë terroriste. Nuk ka dallim mes DAESH, PKK, PYD dhe YPG, ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër të gjithëve”, thuhet në mesazhin e zëdhënësit të presidentit turk Erdogan
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të shtunën se është optimist se kurdët në Siri nuk do të braktisen dhe beson se SHBA-ja dhe Turqia mund të arrijnë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e kurdëve.
Kurdët kërkojnë mbrojtje kundër një sulmi të mundshëm turk dhe zv/ministri i jashtëm i Sirisë, Ayman Sousan, u tha gazetarëve të dielën se qeveria e tij do të donte një dialog intensiv me kurdët.
“Shumë nga deklaratat kurde ishin pozitive lidhur me shqetësimin e tyre për unitetin e Sirisë”, tha ai.
Zyrtarët kurdë kanë thënë se do të donin ndërmjetësimin rus në çdo bisedë me qeverinë siriane.
Presidenti Trump shkruante në Twitter të dielën se “ajo që duhej të ishte bërë shumë kohë përpara, tërheqja amerikane nga Siria, ka filluar, ndërsa trupat godasin në shumë drejtime zonat e pakta të mbetura në duart e kalifatit të ISIS.”
Por një zyrtar i mbrojtjes ka mohuar tërheqjen e ushtarëve nga Siria, duke i thënë Zërit të Amerikës se fazat fillestare të tërheqjes përfshijnë “pajisje, dhe jo trupa”.
Presidenti Trump njoftoi në mënyrë të papritur muajin e kaluar se forcat amerikane do tërhiqen nga Siria, duke shkaktuar konfuzion dhe shqetësim midis aleatëve. Shtëpia e Bardhë la të kuptohet se një tërheqje mund të përfundojë brenda 30 ditëve.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton ka thënë se nuk ka afat kohor për një tërheqje.