Trump, çfarë ndryshoi në 1 vit?

Matthew E. Bunson

Më 8 nëntor u bënë 12 muaj nga zgjedhja e Donald Trumpit si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Një vit pas zgjedhjeve të famshme dhe shumë të debatuara, vendi është po aq i ndarë sa ishte një ditë përpara zgjedhjeve dhe i dyshimtë për të dy partitë politike të mëdha në vend. Një studim i kohëve të fundit nga Pew Research Centre tregon se 6 në 10 amerikanë ndihen të zhgënjyer nga partia që mbështesin.
Në të njëjtën kohë, Pew raporton se grupet më të motivuar të zgjedhësve duket se janë konservatorët dhe liberalët për partitë Republikane dhe Demokratike dhe parashikon akoma më shumë polarizim dhe përçarje mes zgjedhësve. Qasja e hapur “pa doreza” e presidentit Trump është shoqëruar me një mbulim 80 për qind negativ dhe 20 për qind pozitiv në media.
Sulmet mediatike kundër presidentit tashmë janë bërë gjithnjë e më të hapura, madje kanë pasur për qëllim të demostronin se presidenti nuk ishte në gjendje të përmbushte detyrën e tij apo se ekzistonte ndonjë lidhje ndërmjet fitores së Trumpit dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Presidenti është përpjekur të vazhdojë punën e tij, pavarësisht hetimeve të nxitura politikisht dhe sulmeve të vazhdueshme mediatike. Ndërkohë, si për ata që e mbështesin, ashtu edhe për ata që e kundërshtojnë, pyetja është e njëjtë: Çfarë ka arritur ai gjatë vitit të parë të mandatit si president dhe çfarë pritet gjatë tre viteve të ardhshme? Ndër çështjet më të debatuara dhe më të rëndësishme janë politika e jashtme, kujdesi shëndetësor, liria fetare, çështjet pro-jetës, ideologjitë gjinore dhe emigracioni.

Politika e jashtme
Presidenti është përballur me disa kriza gjatë vitit të tij të parë, përfshirë edhe kërcënimin real të luftës bërthamore me Korenë e Veriut dhe diktatorin Kim Jong Un, rreziqet që lidhen me rritjen e nacionalizmit dhe terrorizmi i vazhdueshëm në Europën Perëndimore, për të mos folur për kthimin e Venezuelës në një shtet të dështuar për shkak të politikave socialiste.
Qasja e Trumpit për secilën prej këtyre sfidave ka qenë e qartë dhe e hapur, siç u shpreh në fjalimin e muajit shtator përpara Kombeve të Bashkuara, kur teksa theksonte sovranitetin kombëtar, deklaroi: “Detyra parësore e qeverisë tonë që është përballë qytetarëve, për t’i shërbyer nevojave të tyre, për të garantuar sigurinë, për të mbrojtur të drejtat dhe vlerat e tyre. Si president i Shteteve të Bashkuara, unë do të vendos gjithmonë Amerikën të parën, njëlloj si ju liderët e vendeve tuaja duhet të vendosni gjithmonë vendin tuaj të parin”.
Politika e jashtme i ka ofruar presidentit shanse pafund për t’u distancuar nga politikat e paraardhësit të tij. Toni i administratës në Kombet e Bashkuara u përcaktua pak javë pas zgjedhjeve, kur Trump emëroi guvernatoren Nikki Haley të Karolinës së Veriut si ambasadore e Kombeve të Bashkuara. Në muajin prill, administrata u tërhoq nga financimi që SHBA-të i jepnin Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) për shkak të rolit aktiv të këtij të fundit në financimin e politikave të Kinës për abortin e detyruar dhe sterilizimin. Në tetor, SHBA-të ndërprenë edhe financimin e UNESCO-s, duke kërkuar që institucioni të merrte statusin e vëzhguesit për shkak të borxheve të shumta të organizatës, nevojës për të implementuar reforma të mëdha organizative dhe paragjykimin e vazhdueshëm anti-Izraelit.

Kujdesi shëndetësor
Kandidati Trump e kishte bërë zotimin për t’i dhënë fund dhe për të zëvendësuar “Obamacare” si një prej shtyllave të fushatës së tij. Edhe pse GOP kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, shfuqizimi i planit qe i pamundur për shkak të përçarjeve të brendshme ndërmjet republikanëve. Mosshfuqizimi “Obamacare” sillte detyrimisht edhe kundërshtimin e një sërë reformave të rëndësishme në sektorin e planifikimit familjar që kishte ndërmend presidenti.
Në përgjigje të situatës së krijuar në Capitol Hill, më 13 tetor Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për kujdesin shëndetësor për të lejuar shitjen e sigurimit shëndetësor në linjat shtetërore, për të zgjeruar opsionet dhe për t’i dhënë fund subvencioneve për kompanitë e sigurimit.

Ideologjia gjinore
Administrata Trump ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të shfuqizuar politikat agresive të ish-administratës Obama në lidhje me të ashtuquajturat çështje dhe të drejta të grupit “LGBT”. Në muajin shkurt, administrata Trump deklaroi se nuk kishte ndërmend të mbështeste iniciativën e administratës Obama për “banjat transgjinore nëpër shkolla”. Në të njëjtin muaj, administrata Trump shfuqizoi dhe udhëzimin e miratuar në maj të vitit 2016 nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti Amerikan i Edukimit, të titulluar “Letër kolegëve të dashur për studentët transgjinorë”, në të cilin udhëzoheshin shkollat fillore, të mesme, si dhe kolegjet e universitetet që ta trajtonin “identitetin gjinor të një studenti si seksin e tij”.
Në muajin gusht, Presidenti Trump firmosi një direktivë ku sanksionohej se në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara nuk do të pranoheshin më individë “transgjinorë”. Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis iu dhanë gjashtë muaj kohë për të zhvilluar një plan për të implementuar këtë direktivë, përfshirë edhe nismën për të përcaktuar nëse individët e anëtarësuar në forcat e armatosura do të lejoheshin të qëndronin. Në muajin tetor, administrata Trump shfuqizoi edhe politikën tre-vjeçare të administratës Obama ku deklarohej se, “identiteti gjinor” është një e drejtë civile e mbrojtur nga Akti Civil i vitit 1964.

Vendimet pro-jetës
Trump ka bërë gjatë fushatës së tij premtime të mëdha për sa i përket sektorit për mbrojtjen e jetës, përfshirë edhe emërimin e gjyqtarëve pro-jetës dhe heqjen e financimeve për Planifikimin Familjar. Kontigjenti katolik është habitur tej mase përballë vendosshmërisë me të cilën presidenti Trump ka luftuar një sërë politikash pro-abortit dhe direktivash të epokës së Obamës.
Një ndër veprimet e para të presidentit Trump pas inaugurimit të tij në janar ka qenë rivendosja e Politikës së Qytetit të Meksikës që ndalon financimin amerikam për çdo organizatë që promovon abortin jashtë kufijve. Për të bërë më të qartë përkushtimin e tij, Trump dërgoi zëvendës/presidentin Pence dhe këshilltaren Kellyanne Conway që të mbanin fjalim në Marshimin për Jetën në Uashinton gjatë muajit janar.
Në muajin prill, Departamenti i Shtetit deklaroi se do të ndërpriste financimet federale për Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara për shkak të mbështetjes së kishte treguar për agjencitë kineze që kryejnë abort të detyruar dhe sterilizim. Trump ka lënë një gjurmë domethënëse në mbrojtje të jetës edhe në degën e gjyqësorit me emërimin e një sërë gjyqtarësh për gjykatat federale. Emërimi më domethënës është ai i Neil Gorsuch në Gjykatën e Lartë.
Senati ka konfirmuar edhe tetë gjqtarë federalë në gjykatat e apelit apo gjykatat e distrikteve, edhe pse konfirmimet e tyre janë ngadalësuar për faj të manovave proceduriale nga minoriteti demokrat në Senat dhe për shkak të hapit të ngadaltë me të cilin Trump po prezanton emërimet e tij në senat për konfirmim. Megjithatë, presidenti ka nisur që në ditët e tij të para ta formojë sistemin gjyqësor në mënyrë të tillë që ky sistem të jetë në mbrojtje të jetës edhe për shumë kohë më pas. Kandidatura për Gjykatën e Apelit të Amy Coney Barrett u miratua nga Senati më 31 tetor.

Emigracioni
Kandidati Donald Trump u zotua se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës si dhe të reformonte në themel sistemin difektoz të emigracionit në Shtetet e Bashkuara. Ai ka punuar shumë për t’i realizuar premtimet e tij edhe pse gjatë punës është përballur me kundërshtime të mëdha nga shumë agjenci që mbështesin emigrantët.
Më 25 janar, presidenti firmosi një udhër ekzekutiv për të ndërtuar murin përgjatë kufirit amerikano-meksikan dhe për të rritur arrestimin dhe deportimin e emigrantëve. Dy ditë më pas, presidenti firmosi urdhrin që ndalonte lëshimin e vizave dhe benefiteve të tjera të emigracionit për shtetasit e shtatë vendeve myslimanë për 90 ditë; për refugjatët sirianë vizat u ndërprenë plotësisht, me përjashtim të atyre që janë minoriotete fetare në Siri; dhe programi i strehimit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara u ndërpre virtualisht për 120 ditë, me përjashtim gjithmonë të minoriteteve fetare. I ashtuquajturi ndalim-udhëtimi u përball menjëherë me beteja ligjore që vazhdojnë sot e kësaj dite pavarësisht modifikimeve të bëra nga ana e administratës.
Në muajin mars, administrata firmosi një urdhër ekzekutiv vendosi numrin maksimal historikisht më të ulët prej 50 mijë refugjatësh që do të lejoheshin të jetonin në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit fiskal 2017. Ky veprim u ndoq nga vendimi i muajit shtator për të propozuar numrin prej 45 mijë refugjatë që do të lejoheshin në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2018.

Çfarë pritet më pas
Teksa kalendari ka ecur drejt fillimit të vitit të dytë të presidencës së Donald Trump në janar, ekziston një agjendë e madhe legjislative që pret të miratohet në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë. Agjenda e Trumpit për sa i përket kujdesit shëndetësor dhe taksave deri tani është penguar fuqimisht në Capitol Hill dhe intensiteti i betejave legjislative do të rritet gjithmonë e më shumë me afrimin e zgjedhjeve në mes të mandatit në vitin 2018 që pritet të jenë një luftë e vërtetë politike ndërmjet demokratëve dhe republikanëve.
Më tej, presidenti do të vazhdojë të përballet me sfidat e tij në politikën e jashtme. Që nga Korea e Veriut, tek përhapja e islamizmit në Afrikë, tek krizat politike dhe sociale në Europë të shkaktuara nga emigracioni masiv, terrorizmi xhihadist, brexit dhe rritja e nacionalizmit. Ndërkohë që Presidenti Trump ka lënë tashmë një gjurmë domethënëse në jetën politike amerikane me fitoren e tij, muajt e ardhshëm do t’i ofrojnë presidentit shanse të mëtejshme për të formuar një trashëgimi të qeverisjes jetëgjatë dhe domethënëse.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version