Trump-Clinton debati për ushtrinë

Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta kthejnë në përparësi kryesore “kapjen e kreut të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi, ashtu si vranë themeluesin e al-Kaidës, Osama bin Ladenin në vitin 2011 në Pakistan”.
“Kapja e al-Baghdadit do të kërkojë një përpjekje të përqendruar në nivelet më të larta”, tha zonja Clinton të enjten para gazetarëve në Nju Jork. “Por, tha ajo, unë besoj se kjo do të dërgojë mesazhin e fuqishëm se askush që drejton ose frymëzon sulme kundër Shteteve të Bashkuara, nuk do të mund të shpëtojë”.
Ish-Sekretarja e Shtetit foli me përçmim ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, për paraqitjen e tij të mërkurën në një forum televiziv ku dy kandidatët iu përgjigjën veç e veç pyetjeve në lidhje me çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare. Zonja Clinton tha se zoti Trump, “dështoi përsëri dhe tregoi se ai është i papërshtatshëm nga temperamenti për të qenë komandant i forcave të armatosura të vendit”.
Ai foli me përbuzje për gjeneralët amerikanë, tha zonja Clinton. Komentet e zotit Trump se, Presidenti rus Vladimir Putin është udhëheqës më i mirë se Presidenti Barak Obama, ajo i quajti të “habitshme, jopatriotike dhe fyerje për popullin amerikan”.
“Kjo është e frikshme, tha ajo, pasi ai nënkupton se do të lejojë Putinin të bëjë ç’të dojë dhe pastaj të gjejë justifikime për të”.
Zoti Trump tha në forumin televiziv se, gjeneralët amerikanë janë reduktuar në “hiç” nën Presidentin Obama “aq sa është e turpshme për vendin”. Ai la të kuptohet se mund të shkarkojë disa prej tyre.
Si kandidatët kryesorë në garë, Trump dhe Clinton kanë marrë informacione zbulimi, për të garantuar se udhëheqësi i ardhshëm do të jetë në dijeni të çështjeve kryesore të politikës së jashtme. I pyetur nëse ishte i tronditur nga ato që kishte mësuar, zoti Trump tha se Obama, Clinton dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, bëjnë të kundërtën e asaj që u thonë ekspertët e zbulimit.
“Mund të them, se ata (gjeneralët) nuk ishin të kënaqur për faktin që udhëheqësit tanë nuk kanë ndjekur atë që ata kishin rekomanduar”, u shpreh zoti Trump.
Zonja Clinton i kritikoi këto komente të rivalit Trump: “Mendoj se ajo që ai tha ishte krejtësisht e papërshtatshme dhe e padisiplinuar. Unë kurrë nuk do të komentoja mbi informacionet e zbulimit që marr”, tha ajo.

Exit mobile version