Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, biseduan në telefon të enjten, që është biseda e parë që kur Rusia dënoi sulmin ushtarak amerikan në Siri muajin e kaluar si përgjigje ndaj sulmit me gaz nervor të forcave siriane ndaj civilëve.
Të dy udhëheqësit diskutuan mbi luftën civile në Siri sikurse edhe situatën në Korenë e Veriut, në bisedën që Shtëpia e Bardhë e cilësoi si “shumë të mirë”.
Zyrtarët e Kremlinit u cituan nga mediat ruse të kenë thënë se “ishte bisedë pune konstruktive”.
Të dy udhëheqësit janë pajtuar që diplomatët e tyre më të lartë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, të shtojnë diskutimet për armëpushim në luftën gjashtëvjeçare në Siri.
“Presidenti Trump dhe presidenti Putin janë pajtuar se vuajtjet në Siri kanë shkuar shumë larg dhe të gjitha palët duhet të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që t’i japin fund dhunës”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.
Putini po angazhohet për një armëpushim dhe bisedimet për këtë çështje pritet të fillojnë në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një përfaqësues në takimin e organizuar nga Rusia, ku marrin pjesë edhe Irani dhe Turqia.
Bisedimet e mëhershme të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia gjatë administratës së presidentit Barack Obama, dështuan.
Biseda e së martës ishte e treta që kur Donald Trump fitoi zgjedhjet në nëntor të vitit të kaluar. Të dy ata biseduan muajin e kaluar pas sulmit terrorist në Shën Peterburg, si dhe një javë pas përurimit të presidentit Trump në janar.
“Biseda duket të ketë qenë pozitive”, i tha “Zërit të Amerikës”, profesori Henry Hale nga Shkolla Elliot e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin George Washington. “Është me rëndësi që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit ndërmjet Washingtonit dhe Moskës. Në këtë kuadër pjesëmarrja amerikane në bisedimet në Astana është po ashtu shumë pozitive”, tha ai.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit thonë se po diskutohet një takim i mundshëm ndërmjet të dy presidentëve gjatë takimit të G-20-tës në muajin qershor në Hamburg të Gjermanisë.