Trump: Donin të më godisnin për herë të fundit, a jetojmë në Gjermaninë naziste?

Drejtori në largim i Agjencisë Qendrore të Zbulimit John Brennan, e hodhi poshtë sugjerimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump se, ai ishte personi që ka nxjerrë në media një raport të pabazë që përfshin pretendime se zyrtarë të fushatës së presidentit Trump kishin patur kontakte me operativë rusë.
Një artikull i gazetës “Wall Street Journal” të hënën citonte zotin Brennan të thoshte se ai “nuk kishte asnjë interes” t’i kushtonte dokumentacionit më shumë vëmendje dhe se zyrtarët e zbulimit e informuan zotin Trump rreth tij gjatë një takimi më 6 janar, pasi besonin se ai duhet të informohej për këtë dokumentacion.
Zoti Trump e ka kritikuar ashpër komunitetin e zbulimit gjatë javëve të fundit dhe ai ka patur edhe disa retorika me zotin Brennan.
“Agjencitë e zbulimit asnjëherë nuk duhet të lejojnë lajme të rreme të dalin në publik. Donin të më godisnin për herë të fundit. A jetojmë në Gjermaninë naziste?” – shkroi zoti Trump në Twitter javën e kaluar.
Drejtori i CIA-s Brennan i tha gazetës “Wall Street Journal”, se presidentët pritet që t’i sfidojnë konkluzionet e komunitetit të zbulimit, por se ai nuk i pranon akuzat për pandershmëri dhe mungesë të integritetit.
“Thuaju familjeve të atyre 117 oficerëve të CIA-s që janë përjetësuar përgjithmonë në piedestalin e nderit, se të dashurit e tyre që dhanë jetën janë të ngjashëm me nazistët”, tha Brennan.
Brennan tha në një intervistë të dielën se, zoti Trump nuk e kupton sa duhet kërcënimin që përbën Rusia për botën dhe nënvlerësoi dëshirën e tij për të folur dhe për të shkruajtur mesazhe në Twitter, duke thënë se kjo nuk është në interesat amerikane.

Exit mobile version