Nga Fitim Zekthi
Ajo që ka thënë presidenti Trump në fushatë dhe ajo që po shfaqet nga emërimet e anëtarëve të kabinetit të tij tregon se ka një vendosmëri të qartë për të bërë reforma shumë të forta. Reformat do të konsistojnë kryesisht në dobësimin e shtetit administrativ.
Shteti administrativ është një rreth shumë i gjerë institucionesh dhe njerëzish, është një makinë burokracie e ndërtuar gradualisht. Ai nisi që në vitin 1914 me presidentin Willson i cili e kishte filozofi të tijën ndërtimin e një administrate jo politike të përbërë nga ekspertë që do të ishin zemra e sistemit të qeverisës amerikane.
Me kalimin e kohës ky shtet burokratik administrativ filloi të rritej dhe të bëhet i fuqishëm. Ai u bë i fuqishëm sepse ekzekutivi po forcohej. Kriza e thellë e vitit 1928 çoi në krijimin e shumë agjencive qeveritare për të përballuar krizën, për të përkrahur investimet, për ndihmën sociale etj.
Pas luftës së dytë botërore shteti administrative u bë shumë më i fuqishëm sepse ushtria u rrit në mënyrë të pazakonshme, industria ushtarake u rrit fuqimisht, financat publike, shërbimet publike, roli i qeverisë u rritën të gjitha në një mënyrë që nuk ishte parë më herët.
Paralelisht me këtë rritje të qeverisë dhe shtetit administrativ po merrte kontroll të plotë edhe liberalizmi. Liberalizmi, socializmi liberal, idetë e forcimit të shekullarizimit, idetë e zhvendosjes së besimit fetar nga jeta publike etj u bënë filozofia sunduese. Amerika (edhe Europa por ky është debat tjetër) e ktheu liberalizmin (jo atë klasik por atë socialist) në “fenë” që udhëhiqte mënyrën se si bëhej ekonomia, si qeverisej vendi, si bëheshin ligjet dhe si merreshin vendimet në Gjykatën Supreme. Shteti administrativ ishte në funksion të gjithë kësaj filozofie. Kësisoj punonjës kudo në agjencitë qeveritare, njerëz të sistemit të shërbimeve publike, njerëz të sistemit të drejtësisë brendësuan liberalizmin socialist si filozofinë e re te tyren dhe vetë shteti administrative filloi të bëhet mburoja e kësaj filozofie. Universitetet, sidomos ato të Ivy League (universitetet e famshme të Bregut Lindor, pra të Nju Jorkut, Masacusetsit, Merilendit, Konektikatit, Pensilvanisë, Dilauerit, Rode Ajlendit etj u kthyen në zemra ku ngjizej, ushqehej dhe rritej liberalizmi socialist.
Sa herë që në pushtet vinte një president republikan si Ajzenhauer, Nikson, Reagan apo Bush ata qeverisnin brenda kësaj filozofie sado që mundoheshin (sidomos Reagan, i mrekullueshmi Reagan) ti jepnin një shtysë konservatore politikave apo qeverisjes.
Liberalizmi socialist kishte pushtuar gjithçka dhe kur shfaqej diçka ndryshe ajo ironizohej dhe bëhej ose sillej siç donte liberalizmi. Gjyqtarë të Gjykatës supreme të emëruar nga Ajzenhauer si Earl Warren, të emëruar nga Reagan si Antonin Kennedy, te meruar nga Bush si John Roberts etj silleshin si liberale. Antonin Kennedy me opinionet e tij ishte frymëzimi më i madh i liberalëve. Opinionet e tij në vendimet e Gjykatës Supreme në Amerikë i kanë çelur rrugën martesave homoseksuale. Shteti administrativ ishte në kontroll të shumëçkaje. Rendi liberal apo ultra liberal kishte një mbrojtës ekstrem. Qerveria ishte rritur në mënyrë gjigande. E gjithë kjo kishte ndodhur edhe nga idetë socialiste të Willsonit, Rusveltit, Kenedit apo Obamës por kishte ndodhur edhe nga fuqizimi i pushtetit të ekzekutivit. Në kushtetutën e SHBA-së presidenti ka pushtet të vogël. Në kushtetutën e SHBA-së pushtetin e kanë shtetet dhe kongresi.
Zhbërja e këtij themeli kushtetues dhe agjenda apo idetë socialiste çuan këtu. Presidenti Trump kërkon ta zhbëjë këtë shtet administrativ me sa duket nga emërimet në kabinet deri tani. Të paktën nga emërimi në departamentin e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë ku një elitë gjeneralësh dhe ushtarakësh të lartë së bashku me një elitë prokurorësh dhe oficerësh të lartë janë pjesë e këtij shteti administrativ.
Në qoftë se kjo bëhet, d.m.th, në qoftë se SHBA kthehet tek parimet e një qeverie të vogël dhe konservatore, kjo është shumë e mirë. Çështja është se këtu duket sikur ka diçka gabim në koncept. Këtë e thonë edhe shumë profesorë të së drejtës dhe politikës në SHBA. Profesorë jo liberalë. Ky shtet administrativ që mbron rendin liberal apo ultraliberal majtist nuk është ngritur si diçka burokratike. Ai është ngritur nga fuqizimi i pushtetit të presidentit. Së dyti, ky shtet administrativ ka përdorur një boshllëk ose elita liberale, elita socialiste ndihmoi të krijohej një boshllëk.
Ky boshllëk është një element themelor tek fryma e kushtetutës së SHBA e cila në qendër të saj ka shmangien e tiranisë dhe garantimin e lirisë. Kjo shmangie tiranie dhe garantim lirie, sipas kushtetues dhe Etërve të SHBA-së, nuk do bëhej nga qeveria.
Tendencat apo impulset e këqija të njerëzve nuk do ndalohen nga qeveria. Po t’i jepej qeverisë ky pushtet atëherë ajo do bëhej tiranike. Ky pushtet iu dha një pushteti më të lartë, iu dha Zotit. Pra njerëzit do të mbroheshin nga impulset e këqija të njerëzve, pra të njëri-tjetrit nga frika prej Zotit. Kjo e bën SHBA dhe kushtetutën e saj gjënë më të bukur dhe më interesante në politikën botërore. Sot, ky pushtet i lartë nuk është aq i fuqishëm në Amerikë. Sot e majta dhe liberalët (lëvizjet dhe idetë shekullarizuese) ia kanë dalë ta dobësojnë besimin në Zot në Amerikë.
Kështu që Trump ose republikanët do ta kenë të vështirë në mos të pamundur për të dobësuar shtetin administrativ. Gjithsesi një frymë ekziston për të bërë diçka. Disa mendimtarë konservatorë janë në rrathët pranë Trump dhe Vance. Idetë e Deneen, të Dreher, të Kimball janë aty me një lloj ndikimi të dukshëm. Duhet ironizuar, ringarkuar me besim në Zot shoqëria, duhet zvogëluar pushteti i presidentit që të dobësohet shteti administrativ.
Kjo duket se është filozofia e Trump këtë mandat.
Sa i takon linjave politike, do të qeverisë siç bëri herën e kaluar, do të qeverisë përgjithësisht duke ruajtur linjat tradicionale amerikane të mbështetjes për NATO-n, të moslejimit të Kinës që të konkurrojë në mënyrë të pandershme, të moslejimit të Rusise që të kthehet në kërcenim për Europen dhe NATO-n, te marrëdhënieve të afërta me BE-në, të rigjenerimit të marrëveshjeve abrahamike, te mos lejimit te Iranit qe te zotëroje bombe berthamore.
Këtu nuk ka asnjë ndryshim. Ardhja e Marco Rubio-s në postin e sekretarit të Shtetit është garanci se nuk ka asnjë ndryshim bazik madje do të jetë në linjat e hershme të Bushit, të Obames, të Bidenit dhe vetë Trumpit të mandatit të parë. Në lidhje me Shqipërinë duhet thënë se SHBA nuk ka një politike te posaçme për një vend dhe aq me tepër për një vend si ne. Ajo ka politika te gjera si ajo për NATO-n, për rajonin, për Rusine apo per Kinen. Këto politika në Shqipëri janë përkthyer dhe do të përkthehen në përkrahje për anëtarësim ne BE, ne lufte ndaj korrupsionit, në përkrahje për reformën ne drejtësi, etj. Ata që mendojnë ndryshe do të zhgënjehen keq.
Gjithë grupi i njerëzve të fushatës dhe kabinetit, gjithë fryma e konservatorëve të gjerë të kampit republikan që nga Ingraham, Weigel, Trueman, Ahmari, O Reilly, Henninger, etj, etj, është në këtë linjë pak a shumë. Vlerat e tyre janë besimi në Zot, të drejtat natyrore, gjërat e përhershme (vlerat morale të zbritura nga tekstet e shenjta) qeverisja e vogël, liria etj. Ata e dine qe Trump ka shume shumë kufizime por ata e shohin atë si mundësinë dhe mjetin për të bërë diçka. Trump është në thelb jo ideologjik ndërsa ata po. Ndoshta kjo kontradikte ka çuar në këtë zgjidhje qe po kërkon Trump. Sfida është e
madhe, edhe rreziqet e kësaj rruge jo aq konceptuale shumë të mëdha.
Në mjaft vende, edhe tek ne, forcat politike që duket se janë fuqimisht me Trump as që kanë ndonjë lidhje me këto vlera, as që duan t’ia dinë për besimin në Zot, as që kanë lidhje me frikën ndaj Zotit, as kanë lidhje me të drejtat natyrore, shtetin e vogël apo kufizimin e pushtetit etj. Janë me Trump për arsye jo politike. Kjo gjithësi është një gjë tjetër dhe padyshim pa ndonjë vlerë në pamjen e madhe./Liberale.al/