Trump fajëson Rezervat Federale për “dhjetorin e zi” të Wall Street-it

Indeksi Dow-Jones të hënën ra me gati tre pikë përqindjeje ndërsa Nasdaq me rreth dy përqind. Bursën amerikane e kërcënon në këtë mënyrë sërish dhjetori më i zi që prej vitit 1931, në kohët e krizës së atëhershme ekonomike të përbotshme.
Prej fillimit të tetorit, Dow Jones humbi rreth 18 përqind, S&P 500 ka humbur prej mesit të shtatorit rreth 20 përqind dhe Nasdaq prej fundit të gushtit më pak se 25 përqind.
Shkaku për këtë gjendje është bllokimi i pjesshëm i punës të autoriteteve qeveritare të SHBA përballë grindjes për murin kufitar me Meksikën, siç e dëshiron atë Presidenti Trump. Investorët druhen se kjo situatë mund ta dobësojë ekonominë e SHBA.
Njëri tashmë e ka gjetur fajtorin
Veç kësaj, Trumpi e ka sulmuar sërish ashpër Bankën Qendrore të pavarur Fed, sepse druhet se rritjet e interesave bankare prej saj do të rëndojnë konjukturën. “I vetmi problem, që ka ekonomia jonë, është Fed”, shkroi Trump të hënën në twitter.

Banka Qendrore, sipas Presidentit të SHBA, është si një “lojtar i fuqishëm golfi, i cili nuk është në gjendje të shënojë pikë, sepse nuk ka ndjesi – ai nuk e fut dot topin në vrimë!” Presidenti pati shfaqur më parë zemërimin që Fed i ngriti të mërkurën për të katërtën herë radhazi këtë vit lehtë interesat bankare.
Në kuadër të sjelljes së pazakonshme për një President të SHBA ndaj Bankës Qendrore të pavarur, ai e ka sharë Federal Reserve ndër të tjera si të çmendur, qesharake dhe kaqole.
Shefi i Fed nuk preferohet në Shtëpinë e Bardhë
Përballë ekonomisë amerikane që po përjeton një bum dhe të një tregu pune aktiv, Banka Qendrore amerikane këtë vit i ka ngritur katër herë interesat bankare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Herën e fundit interesat bankare u ngritën të mërkurën, nga 2,25 në 2,5 përqind. Me këtë Fed synon të plotësojë mandatin e saj, për të nxitur punësimin e plotë dhe çmimet e qendrueshme. Përballë ftohjes së konjukturës ekonomike që pritet, ajo ka sinjalizuar edhe dy ngritje të reja interesash bankare për 2019-ën.
Fed në thelb duhet të veprojë e pavarur nga Shtëpia e Bardhë, por Trumpi në të kaluarën i ka thyer disa herë këto barriera. Sipas medieve, ai i ka pyetur anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, nëse mund ta shkarkojë shefin e Fed Jerome Powell, të cilin ai e emëroi vetë si pasardhës të Janet Yellen.

Exit mobile version