Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions t’i japë fund hetimit federal lidhur me dyshimet për bashkëpunim të fshehtë mes njerezve të fushatës së tij presidenciale dhe Rusisë.
Pas një sërë postimesh në tëitter që sulmonin hetimin që po zhvillon Prokurori i Posaçëm Robert Muller, zoti Trump shkruante të mërkurën se, “kjo është një situatë e tmerrshme dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions duhet ta ndalë këtë gjueti të manipuluar shtrigash tani, përpara se të vazhdojë të njollosë vendin tonë edhe më tej. Bob Mueller është plotësisht kontradiktor dhe 17 demokratët e tij të zemëruar që po bëjnë punën e tij të pistë, janë një turp për SHBA!”, shkruante Presidenti.
Dje, zoti Trump u bëri jehonë komenteve të njërit prej avokatëve të tij, i cili tha se në kodin ligjor amerikan bashkëpunimi i fshehtë nuk përbën vepër penale.
Por analistët ligjorë thonë se edhe pse bashkëpunimi i fshehtë mund të mos jetë krim, zoti Mueller ka mundësi që të jetë duke hetuar rreth një komploti të mundshëm për t’u lidhur me një qeveri të huaj me synimin për të ndikuar në zgjedhje dhe kjo, sipas tyre, përbën në vetvete vepër penale.
Në SHBA, gjyqi ndaj ish-shefit të fushatës presidenciale të zotit Trump, Paul Manafort, hyri në ditën e dytë. Sipas prokurorëve Manafort besonte se ishte mbi ligjin, duke përdorur llogari bankare në parajsat fiskale për të menaxhuar miliona dollarë që kishte fituar si këshilltar i politikanëve në Ukrainë.
Në gjykatën federale pranë Uashingtonit, ku zhvillohet gjyqi ndaj zotit Manafort, avokatët mbrojtës ia hodhën fajin partnerit të tij të biznesit.
Sipas prokurorëve, Manafort “besonte se ishte mbi ligjin”. Prokurorët thanë se ai “gënjeu agjencinë e taksave” dhe “me vetëdije paraqiti deklarata të rreme për taksat”, duke mos raportuar dhjetëra miliona dollarë që fitoi kur punonte për një parti politike ukrainase, e cila kishte lidhje të thella me Rusinë.
Prokurorët e akuzojnë zotin Manafort për fshehje parash në llogaritë bankare të hapura në parajsa fiskale. Sipas tyre, ai kishte më shumë se 30 llogari në 3 vende dhe përdorte para kesh për “të financuar stilin e tij të shtrenjtë të jetesës”.
Këtu, sipas tyre, përfshiheshin shtëpi luksoze, kostume të shtrenjta dhe një xhaketë me lëkurë struci që kushtonte 15 mijë dollarë.
Gjithsej, zoti Manafort përballet me 18 akuza për krime financiare.
Ky është gjyqi i parë që rrjedh nga hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet e mundshme midis fushatës Trump dhe Rusisë, por prokurorët thonë se çështja e përfshirjes së Rusisë në zgjedhje nuk do të trajtohet.
Presidenti Trump ndërkohë po distancohet nga njeriu që dikur drejtonte fushatën e tij.
“Paul Manafort ka punuar për mua për një periudhë shumë të shkurtër kohe”, tha Presidenti.
Dëshmitari kryesor i prokurorit të posaçëm Mueller në këtë gjyq është ish-partneri i biznesit të zotit Manafort, Rick Gates, i cili ishte zëvendës kreu i fushatës presidenciale të kandidatit Trump.
Në shkëmbim të dëshmisë së tij, zoti Gates ka pranuar fajësinë për komplot dhe për deklarata të rreme.
Avokati i zotit Manafort tha se Rick Gates “është gati të pohojë gjithçka për të shpëtuar veten.”
Zoti Manafort nuk ka pranuar fajësi për asnjërën prej akuzave, por nëse shpallet fajtor, mund ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, ose mund të falet nga ish shefi i tij, Presidenti Trump.
Shtëpia e Bardhë thotë se një mundësi e tillë nuk është diskutuar.