Sekretarja e re e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany e përdori konferencën e saj të parë për shtyp për t’i bërë jehonë komenteve të presidentit Trump mbi rolin e Kinës në pandeminë e koronavirusit.
Presidenti Donald Trump, ka thënë se ka parë informacione se virusi mund të ketë dalë nga një institut i virologjisë në Kinë.
Presidenti sugjeroi të enjten se ishte i sigurt se virusi e kishte orighinën nga Instituti i Virologjisë në Uhan të Kinës, përpara se të kritikonte përsëri përgjigjen e hershme të OBSH-së për shpërthimin.
Shumica e shkencëtarëve besojnë se virusi u shfaq në një treg të qytetit kinez, dhe është i lidhur me një kafshë që nuk është identifikuar ende.
Kjo ishte hera e parë që McEnany u përball me gazetarët në Shtëpinë së Bardhë, diçka që paraardhësja e saj në këtë post, Stephanie Grisham nuk e bëri asnjëherë gjatë një periudhe nëntë mujore si sekretare e shtypit.
Gjatë administratave të kaluara, një sekretar shtypi i Shtëpisë së Bardhë që mban një konferencë zyrtare vështirë se do të përbënte lajm, por është diçka e pazakontë për administratën aktuale, në të cilën Presidenti i fiksuar nga media e sheh veten si zëdhënësin, drejtorin e komunikimit dhe strategjistin më të mire.
E pyetur të enjten nëse ajo do të dilte para podiumit së shpejt, McEnany u përgjigj: “Kurrë mos thuaj kurrë”.
Më vonë, drejtori i mediave sociale në Shtëpinë e Bardhë, Dan Scavino njoftoi në Twitter se McEnany, sekretarja e katërt e shtypit për presidentin Trump, do të dilte në konferencë për herë të parë të premten.
McEnany u pyet nëse ajo premtonte të mos gënjente asnjëherë nga podiumi, dhe ajo tha se “kurrë” nuk do ta bënte një gjë të tillë.