Trump i tregon “dhëmbët” Kinës, i vendos tarifa 200 miliardë dollarë

Kina i akuzoi Shtetet e Bashkuara për zaptim tregtar, pasi raundi i ri i tarifave amerikane mbi mallrat e importuara kineze hyri në fuqi të hënën.
SHBA u vuri tarifa prodhimeve kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar tutje luftën tregtare midis dy super-fuqive ekonomike.
Pekini u përgjgj me tarifa mbi mallra amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.
Në një letër zyrtare, siç raporton agjencia e lajmeve Xinhua, Kina tha se SHBA po përdor “praktika zaptuese tregtare”, duke i “kërcënuar vendet e tjera me masa ekonomike” dhe duke “dëmtuar ekonominë globale”.
Kina po ashtu akuzoi SHBA-në për fillimin e “luftës më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se raundi i ri i tarifave vjen në përgjigje të “praktikave të padrejta tregtare të Kinës”.
Ky është raundi i tretë i tarifave dhe më i madhi që SHBA ka ndërmarrë këtë vit kundër mallrave kineze.
Në teori, tarifat do t’i bëjnë prodhimet e SHBA-së më të lira sesa ato që importohen dhe kështu do t’i inkurajojnë konsumatorët të blejnë produkte amerikane.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë se rreziku i dëmit ekonomik do ta bindë Qeverinë kineze për t’i ndryshuar politikat e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA do të dalin fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën, një ditë para se tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze të hyjnë në fuqi.
Pompeo tha një një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv “Fox Neës”:
“Ne do të arrijmë ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur: në se do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”.
Administrata Trump ka argumentuar se tarifat ndaj mallrave kineze do ta detyronin Pekinin të zhvillonte tregti me Shtetet e Bashkuara në terma më të favorshme.
Po ashtu, administrata amerikane ka kërkuar që Kina të mbrojë pronën intelektuale dhe t’i japë fund praktikës së piraterisë kibernetike. Administrata Trump, po ashtu i ka bërë thirrje Kinës që t’i lejojë kompanitë amerikane që të kenë më tepër akses në tregjet kineze dhe ta ulin bilancin pozitiv nga tregtia me Shtetet e Bashkuara.

Exit mobile version