Trump: Jo vetëm SHBA-të, edhe kombet evropiane duhet të kontribuojnë për garancinë e paqes në Ukrainë!

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin francez, presidenti amerikan Donald Trump tha se Evropa duhet të marrë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjate të Ukrainës.

“Evropa duhet të marrë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës“, tha presidenti amerikan, shkruan BBC.

Kujtojmë se javën e kaluar delegacionet ruse dhe amerikane u takuan në Riad të Arabisë Saudite për të diskutuar për vendosjen e paqes në Ukrainë. Por në tryezë munguan përfaqësi nga Ukraina dhe Bashkimi Evropian.

Kjo gjë shkaktoi zemërim në Ukrainë dhe Kiev, por me deklaratat e fundit duket se Trump është i gatshëm që në negociatat e paqes të përfshihet edhe Europa.

Trump foli gjithashtu për dëshirën e tij për të “rikuperuar shumën kolosale të parave” që SHBA ka shpenzuar për Ukrainën, duke thënë se ka shpenzuar më shumë se 300 miliardë dollarë (237.5 miliardë paund).

Për këtë arsye Trump tha se SHBA-ja “duhet të arrijë një marrëveshje me Ukrainën për mineralet e rralla”.

Donald Trump deklaroi më herët se Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për mineralet me Ukrainën.

Komentet Presidenti Trump i bëri ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime që u përqëndruan tek perspektiva për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mes dallimesh të forta rreth mënyrës se si duhet të shkohet tek ky objektiv.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Presidenti Trump tha se marrëveshja ishte “shumë pranë”. Ai tha se mund të takohet me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky më vonë gjatë kësaj jave ose javën e ardhshme për ta nënshkruar marrëveshjen.

“Ai mund të vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen, një gjë e mirë kjo” tha Presidentit Trump duke iu referuar zotit Zelensky. Ai shtoi se do të takohej gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin në një moment të caktuar.

Nga ana e tij Macron tha se Evropa ishte e përgatitur për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, përfshirë trupa paqeruajtëse, në rast të një armëpushimi.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e dërgimit të trupave paqeruajtëse evropiane dhe tha se ai e kishte ngritur këtë çështje edhe me zotin Putin dhe ky i fundit kishte rënë dakord ta pranonte atë.

Artikulli paraprakGrumbullimi i Kombëtares për ndeshjet e Botërorit, zbulohet vendimi për Elseid Hysajn
Artikulli tjetërErvis Iljazaj: Politika shqiptare u ç’armatos përballë prokurorit me duart e saj