Trump kërcënon Irakun me sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Iraku, përderisa nuk shpaguhen për një bazë ajrore të ndërtuar atje.
Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj rezolutës së miratuar nga parlamenti irakian, i cili i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5 mijë e 200 trupat amerikane që ndodhen aty.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në avionin presidencial të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ajrore “jashtëzakonisht të shtrenjte” që kushton miliarda dollarë.

“Ne nuk largohemi derisa ata nuk paguajnë”, tha ai duke kërcënuar me sanksione “çfarë nuk i kanë parë kurrë më parë”, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të largohen “miqësisht” nga Iraku.

Shtetet e Bashkuara përdorin 12 objekte të ndryshme ushtarake gjithandej Irakut. Presidenti Trump nuk e saktësoi se për cilën bazë po fliste. Parlamenti irakian kërkoi largimin e trupave amerikane, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron në aeroportin e Bagdadit, që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani.

Shumica shiite në parlament votoi për rezolutën nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë atje”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera” nga vendimi i Irakut dhe po presin sqarimin e ligjshmërisë së vendimit. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Irakut të ndryshojë qëndrimin e tij.

“Ne besojmë se është në interesin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Irakut që të vazhdojnë të luftojnë ISIS-in bashkërisht. Kjo administratë mbetet e përkushtuar për një Irak sovran, të qëndrueshëm dhe të përparuar”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku, ranë dakord për rikthimin e trupave amerikane në Irak katër vite më parë për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Kjo ndodhi pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane që kishin ndërhyrë në vitin 2003 për rrëzimin e diktatorit irakian Saddam Hussein.

Rezolutat e parlamentit irakian nuk janë detyruese. Por, kryeministri në detyrë Adel Abdul Mehdi, i kishte kërkuar parlamentit më herët që të merrte masa urgjente dhe t’i jepte fund pranisë së trupave të huaja sa më parë që është e mundur.

Por, ai tha se çdo vendim rreth trupave amerikane duhet të ketë parasysh që interesat kombëtare dhe siguria e Irakut nuk do të dëmtohen. Riyad Muhammad Ali Al Masoudi, anëtar i parlamentit Irakian, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës se “nuk duam të krijojmë një boshllëk politik ose të sigurisë në këtë drejtim.

Ajo që ne duam me të vërtetë, është të ruajmë sovranitetin e Irakut dhe të ardhmen politike të vendit. Ne shpresojmë se kjo marrëveshje do të shërbejë në interes të Irakut dhe nuk do të përdoret kundër Irakut”.

Ndërkohë, udhëheqësi i Hezbollahut pro-iranian në Liban, Sheiku Hassan Nasrallah, mbajti një fjalim të zjarrtë para përkrahësve të tij në Bejrut, duke i kërkuar parlamentit Irakian “të dëbojë Shtetet e Bashkuara”, ndërsa nguli këmbë për hakmarrje pas vrasjes se Soleimanit.

Exit mobile version