Trump kërcënon me burg Hillarin në debat për e-mail-et

Në Seint Ljuis të Misurit debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillua në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra.
Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rinjtë, një pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bëra nga zoti Trump për gratë 11 vjet më parë dhe që u publikuan të premten.
Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, duke ndryshuar temë disa herë.
“Ja kush është Donald Trump”, tha zonja Clinton.
Zoti Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Shihni Bill Clinton-in. Të miat ishin fjalë, të tijat ishin vepra”.
“Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë”, tha zoti Trump.
Zonja Clinton e kritikoi ashpër rivalin. Ajo tha se nuk ishte vetëm videoja e publikuar të premten që ngre pikëpyetje nëse zoti Trump duhet të jetë apo jo President, por edhe komentet e tij lidhur me emigrantët, myslimanët dhe çështje të tjera.
Zoti Trump tha se këto janë “vetëm fjalë” që i dëgjojmë prej vitesh. Ai e kritikoi zonjën Clinton për çështje të tjera si arsimi dhe afrikano-amerikanët përsëri duke u përpjekur t’i shmanget pyetjes së fillimit.
Ai tha se komentet e tij të publikuara të premten ishin thjesht biseda spontane, por Bill Clinton, tha ai, ka qenë abuzues i grave dhe zonja Clinton i ka sulmuar këto gra. Zoti Trump kishte sjellë në sallën e debatit tre nga gratë që e kanë akuzuar zotin Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.
Kur debati u përqendrua tek e-mail-et e zonjës Clinton, zoti Trump tha se ai do të emëronte një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij. “Ju do të përfundonit në burg”, tha ai, duke nënkuptuar se ajo kishte shkëmbyer materiale të klasifikuara duke përdorur një server privat, kur ishte sekretare e Shtetit.
Zonja Clinton e quajti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës është një Amerikë ku secili ka një vend”, tha ajo.
Zoti Trump u përgjigj duke thënë se islamofobia është problem, por shtoi se SHBA kanë një problem serioz. Ai përmendi vrasjet në San Bernardino si shembull të “terrorizmit islamik radikal”.
Të pyetur për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, zonja Clinton tha se Rusia po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, “ndoshta ngaqë ai e ka lavdëruar Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon të bëjë biznes në Moskë”.
Zoti Trump u përgjigj se ai nuk ka kredi me Rusinë. “Mund të pyesni pranë qeverisë amerikane dhe ata mund t’jua thonë këtë, sepse ata i njohin fare mirë të dhënat e mia financiare”, tha kandidati republikan.
E pyetur lidhur me strategjinë për Sirinë, zonja Clinton tha se ajo nuk do të dërgonte trupa tokësore në Siri, por do të mbante atje forca speciale.
I pyetur se cila është strategjia e tij nëse qyteti Aleppo bie, zoti Trump tha se në thelb Aleppo-ja ka rënë. Ai kritikoi ashpër politikën e administratës Obama për Sirinë.
Të pyetur nëse do të jenë presidentë të të gjithë amerikanëve, kandidatët dhanë përgjigje të ndryshme:
“Shumë njerëz janë të shqetësuar nëse do të kenë një vend në Amerikën e Donald Trump-it”, tha zonja Clinton.
“Zonja Clinton ka një urrejtje të madhe në zemrën e saj”, u përgjigj kandidati Trump. “Ky vend nuk mund të durojë katër vjet të tjera të Barak Obamës dhe kjo do të ndodhë nëse ajo zgjidhet”, tha ai.
Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Megjithë retorikën e tanishme, cila është ajo gjë që respektoni te njëri-tjetri?
Zonja Clinton tha se respektonte fëmijët e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillary nuk dorëzohet dhe kjo është një veti e mirë.
Të dy thanë se nuk ishin dakord me të gjitha gjërat e tjera të njëri-tjetrit.
Kandidatët e përfunduan debatin e ashpër me një shtrëngim duarsh.

Artikulli paraprakTre gra akuzojnë
Artikulli tjetërObama: Trump, “i pasigurt”