Adam Withnall
Tregjet e aksioneve në të gjithë botën duket se kanë filluar të trazohen pas sondazhit të fundit që e vendosi Trumpin në avantazh më pak se një javë përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit. Ekipi i fushatës së Hillary Clintonit e ka kundërshtuar reztultatin e sondazhit të “ABC News” dhe “Washington Post” që e nxirrte Trumpin në avantazh duke vënë në dyshim metodologjinë e përdorur.
Sondazhi i jep republikanëve 46 për qind kundrejt 45 për qind të Hillary Clinton në rang kombëtar, një goditje për demokratët pas lajmeve që FBI-ja ishte duke hetuar e-mail-e të tjera. Teksa aksionet në Azi kanë prekur nivelin më të ulët të shtatë javëve të fundit në Wall Street, strategu i tregjeve, Hussein Sayed, tha se tregjet po hyjnë në “fazën e parë të panikut” për zgjedhjet e ardhshme.
Çmimet e aksioneve të qeverisë britanike u rritën ditën e mërkurë, duke rritur edhe çmimet e borxheve të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë teksa tregjet filluan të reagonin ndaj pasigurisë. Indeksi Evropian Stoxx 600, ku përfshihen 600 kompanitë më të mëdha të rajonit, preku nivelin më të ulët që nga 11 korriku dhe matësit e pasigurisë të quajtur ndryshe “termometrat e frikës” për Wall Street-in, u rritën me 14 për qind të martën në nivelin më të lartë që nga muaji korrik.
Hillary Clinton ka udhëtuar për disa evente zgjedhore ditën e martë në Florida, një shtet që ekipi i saj e konsideron si vjelësi i fitores më 8 nëntorit. Një ndihmës i vjetër tha për reporterët në avionin e fushatës se ata nuk besojnë se historia e e-mail-eve mund t’i ketë dhënë Donald Trump-it avantazhin që po shikon këto ditë në sondazhet e fundit.
Zyrtari tha: “Ne nuk e mendojmë aspak në këtë mënyrë”, sipas një raportimi të “The Guardian”. “Ka një parregullsi në modelin e sondazhit të nxjerrë nga ‘ABC News’ dhe ‘Washington Post’. Ka diçka që nuk shkon”.
Nuk është vetëm sondazhi “ABC”/“Post” ai që sinjalizon rënie të pozicionit të Clintonit që nga deklarata e ditës së premte, kur drejtuesi i FBI-së, James Comey tha se agjencia ishte duke hetuar e-mail-e të dërguara nga ndihmësja e atëhershme e sekretares së Shtetit, Huma Abedin, të gjetur gjatë një tjetër hetimi të bashkëshortit të saj, Anthony Weiner.
Sipas matësit “Real Clear Politics”, i cili vlerëson të gjithë sondazhet që dalin, avantazhi i demokratëve ka rënë nga 4,6 për qind ditën e premte në 2,5 për qind në fund të ditës së hënë. Sipas vëzhgimit të “Reuters” të zhvilluar në mes të deklaratës së FBI-së, që në atë moment filloi të rrëzohej avantazhi prej 44 për qind i Hillary Clintonit kundrejt 39 për qind të Donald Trumpit.
Por ndihmësit e fushatës së Clintonit shfaqen të pashqetësuar. “Ne nuk mendojmë se deklarata e Comey ka pasur një impakt. Shohim prova qesharake për ndryshimin e situatës dhe regjistrimin e votuesve, numrin e vullnetarëve etj. Këto faktorë na sugjerojnë se situata në fakt i ka inkurajuar më shumë mbështetësit tanë”.
Sondazhi “ABC”/“Post” tha se sondazhi i fundit ishte zhvilluar nga “Langer Research Associates” përmes telefonit gjatë periudhës 27-30 tetor, me një shabllon prej 1,773 të rriturisht përmes telefonisë fikse dhe asaj celulare. Në rezultatet e votuesve potencialë, marzhi i gabimit ishte plus ose minus 3 pikë, një fakt i theksuar edhe në raportimin e sondazhit.
Të dy palët vazhduan të diskutonin në lidhje me deklaratën e FBI-së dhe avokati i Abedin tha se klientja e tij e zbuloi vetëm nga mediat ditën e premte se laptopi që ajo përdorte bashkë me Weiner mund të kishte e-mail-e që lidhen me çështjen. Avokati tha se Abedin nuk është kontaktuar ende nga FBI-ja për zhvillimet e fundit dhe se mund të bashkëpunojë nëse i kërkohet diçka e tillë.
“Fushata e Donald Trumpit ka dalë në sulm dhe jemi duke e zgjeruar hartën”, tha ndihmësi i Trumpit David Bossie, duke sugjeruar se fushata tani shikon mundësi për të konkurruar në shtetet demokratike si New Meksiko dhe Miçigan. Në Wisconsin, Trump i nxiti votuesit “që janë bërë pishman për bindjet e tyre” që të ndryshojnë votën që kishin planifikuar. “Kanë ndodhur shumë gjëra që nga dita që vendosët votën tuaj”, tha ai.
Katër shtete – Uiskonsin, Miçigan, Minesota dhe Pensilvania – lejojnë ndryshimin e votimit paraprak, por praktika është shumë e rrallë, sipas Qendrës së Informacionit për Votimin Paraprak. Trump vendosi ta përzjejë një ton të qetë presidencial me retorikën e tij të egër të zakonshme.
I vendosur për t’u përqendruar në recetat e politikës, ai e kaloi ditën duke lëshuar deklarata të kujdesshme, kryesisht për kujdesin shëndetësor. Ai paralajmëroi për planin e Clintonit që të përforcojë “Obamacare”, gjë që do të shkaktonte pasoja të rënda, edhe pse nuk dha asnjë specifikim për planin e tij të ri. “Nëse nuk e kundërshtojmë dhe zëvendësojmë ‘Obamacare’, do të shkatërrojmë përgjithmonë shëndetin amerikan”, tha Trump gjatë fjalimit në Filadelfia.
Ai premtoi gjithashtu se nëse zgjidhet, do të kërkojë një seancë Kongresi për ta zëvendësuar ligjin. Megjithatë, Kongresi është i sigurt që do të mblidhet kur presidenti i ardhshëm të vijë në pushtet. Pasi e kishte adresuar çështjen e deklaratës së FBI-së në dy evente të tjera gjatë ditës së hënë, Clinton – me ndihmën e Presidentit Barack Obama – e përdori eventin e ditës së martë për të lëshuar një akuzë të re kundër rivalit të saj dhe komentet e tij vullgare kundër femrave.
“Gjatë gjithë jetës time kam qenë grua”, tha Clinton, “dhe kur mendoj për atë që dimë rreth Donald Trumpit dhe gjërave që ka bërë gjatë 30 viteve të fundit, mund të them se ka kaluar shumë kohë duke ulur, degraduar, ofenduar dhe sulmuar femrat”.
Trumpi është përballur me shumë akuza për sjellje të pahijshme dhe ngacmime seksuale gjatë javëve të fundit, gjë që e ka ndërlikuar përpjekjen e tij për të fituar votat e femrave në të dyja partitë. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, por Presidenti Obama tha se ky ishte një model që zgjedhësit duhet të shqyrtojnë mirë.
“Ai e ka kaluar të gjithë jetën e tij duke i quajtur gratë derra dhe qen”, tha Obama në një event zgjedhor në Ohio. “Pjesa që na shqetëson më shumë është nëse fillojmë të sillemi sikur diçka e tillë është normale”. “Nëse nuk i ke respektuar femrat përpara se të zgjidheshe president, nuk do t’i respektosh ato as kur të zgjidhesh”, vazhdoi Obama.