Presidenti Donald Trump ka marrë vendosmërisht drejtimin e lëvizjes politike konservatore në Shtetet e Bashkuara dhe po e çon atë përpara, sipas filozofisë së tij, tha dje një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit.
Duke folur në Konferencën për Aksionin Konservator Politik, takimi më madh i amerikanëve me bindje konservatore, Kellyanne Conway tha se, zoti Trump i ka hyrë një rruge që konservatorët e lëkundur pas tij e shohin jo në një linjë me atë që ata besojnë.
“Ai iu drejtua direkt bazës dhe e përqafoi atë -tha ajo. Ai bëri që shumë njerëz të ndihen që janë pjesë e një lëvizjeje”, tha zonja Conway.
Ajo shtoi se, zoti Trump e fitoi garën për të qenë kandidati republikan për president, duke e nisur “nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë” ndryshe nga shumë politikanë, të cilët kanë vite përvojë dhe janë emra të njohur të jetës publike.
Zonja Conway tha se, zoti Trump gjeti mbështetjen e konservatorëve pasi ata u ndjenë të përfshirë që prej fillimit. “Ai ishte aty sepse donte të ishte, sepse beson tek potencialet e vendit, tek njerëzit e tij, beson tek shpirti i lirë dhe ju e shihni kur jeni me të”.
Ndikimi i presidentit Trump
Fjalimi i presidenit Trump të premten do të jetë momenti kryesor i konferencës së këtij viti, që merr dhe më shumë forcë nisur nga fakti se republikanët kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresin për herë të parë në 10 vjet.
Tubimi i këtij viti i mijëra konservatorëve po zhvillohet në një hotel në Maryland, shumë pranë Uashingtonit dhe nxiti debate ende pa filluar.
Udhëheqësi i saj Matt Schlapp i tha “Zërit të Amerikës” se, ai vuri re një “qasje më shumë populiste” këtë vit, me zotin Trump si forcë shtytëse.
“Pajtohem se ka pak më shumë shtrirje populiste të konservatorëve këto ditë. Nuk e di nëse kjo është një ndryshim në filozofi, por di që kjo është për shkak se ata janë të shkurajuar me atë që ka ndodhur në Washington gjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai.
Tri linja konservatorësh
Udhëheqësi i konferencës Schlapp tha për “Zërin Amerikës” se, ekziston një koalicion “i gjallë dhe vibrant” i përbërë nga tri linja të konservatorëve: ata që kujdesen për kulturën, ata që thjesht duan më pak ndikim të qeverisë dhe taksa më të ulëta dhe të tjerët që thonë se vendi ka nevojë për një mbrojtje të fortë.
Ndërsa republikanët konservatorë mblidhen në Maryland, demokratët në opozitë do të takohen në Atlanta për të zgjedhur një udhëheqës të ri të Komitetit Kombëtar Demokratik.