Sondazhet në Shtetet e Bashkuara tregojnë se gara midis kandidatëve për president, demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump, po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.
Sondazhi i fundit i “ABC News” dhe “The Washington Post” tregon se Trump ka dalë në epërsi ndaj Clintonit me 1 për qind. Sipas sondazhit, 46 për qind e të anketuarve kanë favorizuar Trumpin si president dhe 45 për qind Clintonin. Edhe pse avantazhi me një pikë i Trumpit është statistikisht i parëndësishëm, kjo është hera e parë që ai kryeson në një sondazh të “ABC”/“Post” qysh në muajin maj.
Mbështetja në sondazhe për Clintonin ka nisur të bjerë qysh në fundjavë, pasi drejtori i FBI-së ka bërë të ditur se agjencia e tij është duke hetuar disa e-mail-e, të cilat mund të kenë lidhje me Clintonin.
Sikur të mos mjaftonin tensionet, një polemikë e re u është shtuar zgjedhjeve presidenciale amerikane, rishfaqja e e-mail-eve të kandidates demokrate Hillary Clinton. Ajo ka përdorur një server privat për të shkëmbyer mesazhe zyrtare, kur ishte sekretare e Shtetit. Drejtori i FBI-së, i cili vetëm pak muaj më parë deklaroi se hetimi i agjencisë së tij nuk kishte nxjerrë ndonjë dëshmi për shkelje ligji nga zonja Clinton, tha të premten se çështja është duke u rishqyrtuar. Ky njoftim, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, është një hap i pazakontë. Demokratët dhe madje edhe disa republikanë thonë se njoftimi i FBI-së ishte i paligjshëm, sepse mund të ndikonte mbi opinionin e votuesve. “Zëri i Amerikës”, bisedoi për këtë çështje me profesorin Richard Painter, i cili ka qenë jurist për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Presidentit republikan, Xhorxh W. Bush.
Drejtori i FBI-së, James Comey e njoftoi Kongresin se agjencia e tij ishte duke analizuar e-mail-et në një kompjuter që i përket ndihmëses së zonjës Clinton, Huma Abedin. Bashkëshorti i ndarë i zonjës Abedin po hetohet për sjellje të pahijshme seksuale. Eksperti ligjor, Richard Painter thotë se letra e zotit Comey bie në kundërshtim me Ligjin Hatch, i cili i ndalon zyrtarët qeveritarë të përdorin pozitën e tyre për të ndikuar në zgjedhje.
“Nëse në këtë rast ai ka premtuar të bëjë një përjashtim dhe ta mbajë Kongresin në dijeni rreth çdo gjëje që di për sekretaren Clinton, kjo nuk është e lejueshme sipas Ligjit Hatch. Për më tepër, ai nuk kishte ndonjë informacion shtesë në lidhje me sekretaren Clinton. Fjala ishte për një laptop që i përket një gruaje, e cila punonte për sekretaren Clinton në Departamentin e Shtetit dhe burri i së cilës, së shpejti do të ndahej prej saj, ishte duke u hetuar për mesazhe seksuale me një të mitur”.
Zoti Painter i tha “Zërit të Amerikës” se hetimi duket se është një përpjekje e ligjvënësve republikanë për të dëmtuar emrin e zonjës Clinton.
“Këto janë zgjedhje ku ligjvënësit janë vetë në garë elektorale së bashku me një kandidat mjaft të dobët e të debatueshëm. Unë vetë jam republikan dhe jam shumë i shqetësuar për këto zgjedhje nga pikëpamja e Partisë Republikane. Por kjo nuk i justifikon anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që të përpiqen të përdorin FBI-në për të sulmuar kundërshtarët politikë”.
Zoti Painter thotë se nëse kjo do të ishte e lejueshme, atëherë demokratët e Kongresit do të mund të kërkonin informacion për çdo gjë që FBI-ja di rreth lidhjeve të mundshme midis kandidatit republikan Donald Trump dhe hakerave rusë dhe ta publikonin këtë në mediat sociale.
Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit Josh Earnest, tha të hënën se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kanë autoritet të gjerë për të kryer hetime, por është e pazakontë që hetime të tilla të diskutohen në publik.
“Është e rëndësishme, sipas mendimit të Presidentit, që këto autoritete t’i përmbahen traditës së vjetër, si dhe praktikave e normave, të cilat parashikojnë kufizimin e diskutimit publik të fakteve që grumbullohen në suazën e hetimeve”.
Nuk është e qartë nëse hapi i FBI-së do të ketë ndonjë efekt në rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, por ai i jep zotit Trump dhe mbështetësve të tij shpresa të reja për fitore.
Departamenti i Drejtësisë thotë se po punon me FBI-në për të kryer “në mënyrë sa më të efektshme dhe të shpejtë” hetimet që janë rihapur mbi llogarinë e e-mail-eve të ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Drejtori i FBI-së, James Comey informoi të premten Kongresin se hetuesit federalë do të analizojnë një numër e-mail-esh të zonjës Clinton të zbuluara në një kompjuter që i përkiste ish-ligjvënësit Anthony Weiner.
Ligjvënësi Weiner, tani i ndarë nga bashkëshortja Huma Abedin, ndihmëse e zonjës Clinton, akuzohet se ka dërguar mesazhe me tone seksuale në adresë të një të miture. E-mail-et u gjetën në një kompjuter që mund të jetë përdorur nga Weiner dhe e shoqja Abedin.