Trump ngre ekipin: Ndëshkim vendeve që votuan kundër

Administrata Trump ka nisur menjëherë të shohë mundësitë për të ndëshkuar shtetet që votuan kundër vullnetit të Uashingtonit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert tha se po shihen alternative të ndryshme. “Ekipi i Presidentit për politikën e jashtme është ngarkuar me detyrën për të shqyrtuar mundësi të ndryshme, por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim”.
Në deklaratën pas votimit të së enjtes, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Niki Hallej përforcoi qëndrimin e Presidentit Trump se një prej masave ndëshkuese do të jetë ndërprerja e ndihmës financiare.
Analistët thonë se, vota tregoi se SHBA nuk do ta ketë të lehtë implementimin e vizionit të ri për paqen në Lindjen e Mesme, pasi ka kundër aleatët më të mëdhenj, Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francën.
Turqia dhe Rusia po e shohin veten triumfuese. Presidenti Erdogan i telefonoi homologut Putin për t’i shprehur mirënjohjen për votën pro-palestineze. Në një deklaratë për shtyp të Kremlinit thuhet se presidentët u angazhuan për formimin e shtetit palestinez, si pjesë e zgjidhjes së konfliktit historik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën deklaratën e fortë, gati një kërcënim, për 128 vendet që votuan pro rezolutës së Turqisë dhe Jemenit në OKB.
Pas votimit, ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley tha se, “Amerika do ta vendosë ambasadën në Jeruzalem. Asnjë votë në Kombet e Bashkuara nuk mund ta ndryshojë këtë. Por kjo votë do të bëjë një ndryshim sesi amerikanët e shohin OKB-në, dhe sesi ne i shohim vendet që nuk na respektojnë”. Deklarata e ambasadores Nikki Haley ishte e drejtpërdrejtë për vendet që nuk e respektuan SHBA. Në këtë grup, tani përfshihet edhe Shqipëria, me vendimin që mori qeveria për të votuar rezolutën anti-Trump.
Ambasadorja amerikane në OKB falenderoi 65 vende që respektuan vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur ambasadën e saj në Jeruzalem. Të paktë ishin ata që votuan kundër rezolutës, por shumica e vendeve abstenuan, duke mos shfaqur asnjë qëndrim armiqësor ndaj Trump. Ndryshe nga këta, Shqipëria iu bashkua vendeve me qëndrimin e prerë, duke votuar pro rezolutës dhe kundër amerikanëve.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare nuk u konsultua më herët me forcat e tjera politike. E vetmja deklaratë e ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati ishte në Parlament, kur ai tha se qëndrimi i Shqipërisë është i njehsuar me atë të vendeve të Bashkimit Europian. “Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast është ai qëndrim i pandryshuar ndër vite, i reflektuar tek vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian”, u shpreh Bushati.
Por të mërkurën, në një konferencë për mediat, Donald Trump ishte shumë i qartë, gati kërcënues me fjalët e tij për vendet që do të votonin pro rezolutës.
“Për të gjithë ata shtete që përfitojnë nga paratë tona dhe votojnë kundër nesh. Ata marrin qindra miliona dollarë, madje biliona dollarë dhe votojnë kundër nesh”, tha Trump. “Ne do t’i shënojmë ato vota. Le të votojnë kundër nesh. Do të kursejmë shumë para. Nuk ka rëndësi për ne”, tha ai, duke lënë të kuptohet se SHBA do të kursehet me ndihmën që i jep vendeve në nevojë.
Nismëtar i rezolutës ka qenë Presidenti turk, Taip Rexhep Erdogan, i cili flakë për flakë iu përgjigj kërcënimit të Trump.
“Zoti Trump, nuk mund ta blesh vullnetin demokratik të Truqisë me dollarët e t’u”, u shpreh Erdogan në një fjalim në Ankara. “Unë shpresoj dhe pres që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kenë rezultatin që shpresojnë nga OKB dhe bota do t’i japë një leksion të mirë Shteteve të Bashkuara”, tha Erdogan.
Rezoluta që dënon vendimin e Trump për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, ishte një propozim i Turqisë, në Samitin e Organizatës për Bashkëpunimin Islamik dhe Jemeni, në Grupin Arab në OKB.
Para votimit, Nikki Haley iu drejtua 193 vendeve të OKB-së me një letër ku sqaronte se administrata Trump “thjesht po kërkon mirënjohje për miqësinë historike, partneritetin dhe mbështetjen që ju kemi dhënë dhe që ta respektoni vendimin tonë për ambasadën tonë”. Siç duket, me votimin e OKB, Shqipëria për herë të parë në këto 27 vjet, me një vendim shtetëror e mohoi këtë mirënjohje ndaj SHBA.

Artikulli paraprakVatra: Rama, akt antikombëtar
Artikulli tjetërKëshilltarja shqiptare e New-Yorkut: Akt i turpshëm