Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se vizita e ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif në Biarritz, ku po mbahet takimi i lartë i G-7, nuk ishte befasi.
Presidenti Trump u tha gazetarëve, derisa po fillonte një takim me presidentin egjiptian, Abdel Fattah El-Sissi, se e respekton faktin që ministri Zarif qëndroi në Biarritz për të takuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe të tjerët.
Ai tha se ishte në kontakt me presidentin Macron, “E dija çdo gjë që bënte ai dhe e kam miratuar çdo veprim të tij”. Marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të tensionuara që kur presidenti Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që frenonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Presidenti Trump më pas shtoi më shumë sanksione, veçanërisht duke synuar sektorin e naftës në Iran, gjë që ka dëmtuar rëndë ekonominë iraniane. Ai tha të hënën se nuk kërkon “ndryshimin e regjimit” në Iran, por, kërkon që ai “t’i jap fund terrorizmit”.
“Mendoj se do të ndryshojnë. Vërtetë mendoj. Besoj se kanë shansin të shndërrohen në një komb të veçantë”, tha presidenti Trump. Ai nënvizoi se çdo marrëveshje e re me Iranin do të kërkonte që programi bërthamor i Iranit të mos përdoret për zhvillimin e armëve, dhe ndryshe nga marrëveshja e vitit 2015, do të përfshinte kufizimin e programit të raketave balistike të Iranit.
Presidenti Trump tha se nuk ishte i interesuar të takohej të dielën më ministrin Zarif, meqë “do të ishte shumë herët” për bisedime të tilla. Presidenti Macron takoi të premten ministrin Zarif në Paris, para fillimit të takimit të G-7-tës, por më pas e ftoi atë të dielën në qytetin bregdetar Biarritz, ku po mbahet takimit pas diskutimeve të rrepta të së shtunës mbrëma ndërmjet udhëheqësve botëror rreth Iranit.
Në samit, Macron prezantoi një plan për të ulur tensionet në rritje në Gjirin Persik duke hequr pjesërisht embargon e naftës amerikane ndaj Iranit në këmbim të kthimit të Teheranit për të zbatuar në përputhje të plotë marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor.