Trump: Përse Obama nuk reagoi për ndërhyrjen ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump tha dje se paraardhësi i tij Barak Obama nuk reagoi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ai mendonte se kandidatja demokrate, Hillary Clinton do të dilte fituese.
Gushtin e kaluar, tre muaj përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, arriti në përfundimin se presidenti rus, Vladimir Putin kishte urdhëruar drejtpërsëdrejti një fushatë kibernetike për të diskredituar zgjedhjet presidenciale amerikane, për të dëmtuar fushatën e zonjës Clinton dhe për të ndihmuar fitoren e zotit Trump.
Ish-Presidenti Obama, sipas një njoftimi javën e kaluar të gazetës “Washington Post”, reflektoi me javë të tëra se si duhej të vepronte. Por ai nuk ndërmori ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë deri para fundit të dhjetorit, disa javë pasi zoti Trump kishte fituar zgjedhjet.
Sot, në një seri komentesh në Twitter, Presidenti Trump shkruante se: “arsyeja që Presidenti Obama nuk bëri asgjë për Rusinë pasi u njoftua nga CIA për ndërhyrjen, është se ai priste që zonja Clinton të fitonte dhe nuk donte të ‘trazonte ujërat’”.
Zoti Trump shkruan gjithashtu se pas katër muajsh hetimesh me xham zmadhues për Rusinë, ata nuk kanë asnjë dëshmi për ndonjë bashkëpunim të njerëzve të fushatës Trump me Rusinë. “Nuk ka as bashkëpunim dhe as pengim të hetimeve. Ata duhet të më kërkojnë falje”, shkruan zoti Trump.

Artikulli paraprakPërgjegjësia e Holandës për masakrën e Srebrenicës
Artikulli tjetërZagrebi fshin historinë e sheshit me emrin Tito