Trump, republikanët shpërfillin procesin e transferimit të pushtetit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden nuk e përfilli refuzimin e administratës Trump për të filluar procesin zyrtar të transferimit të pushtetit, ndërsa udhëheqësit kryesorë të Partisë Republikane dolën në krah të Presidentit Donald Trump në luftën e tij të vështirë për të përmbysur fitoren e parashikuar të zotit Biden në zgjedhjet presidenciale.

Udhëheqësit botërorë, përfshirë Kryeministrin Britanik Boris Johnson dhe Presidentin Francez Emannuel Macron, uruan demokratin Joe Biden për fitoren. Por brenda vendit, gjërat janë ndryshe.

“Do të ketë një tranzicion të qetë në një administratë të dytë Trump”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Ai përsëriti thirrjen e Presidentit Donald Trump për numërimin e vetëm votave “të ligjshme”, një term i përdorur për të çuar përpara akuzat e tij deri tani të pabazuara se demokratët vodhën zgjedhjet.

“Nuk ka asnjë provë për pretendimet e bëra nga presidenti ose sekretari i shtetit Pompeo.”

Të martën, zoti Biden e karakterizoi refuzimin nga Presidenti Trump për të pranuar rezultatin si të “turpshëm” por e injoroi rëndësinë e këtij veprimi.

“Fakti që ata nuk janë të gatshëm të pranojnë se kemi fituar në këtë pikë nuk ka shumë pasoja në planifikimin tonë dhe atë që ne jemi në gjendje të bëjmë deri më 20 janar.”

Vetëm disa senatorë republikanë kanë uruar zotin Biden për fitoren e tij dhe të nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris. Ish-presidenti republikan George W. Bush e ka uruar demokratin Biden për fitoren. Por udhëheqësit e partisë po mbajnë anën e Presidentit Trump.

“Presidenti Trump është 100 përqind brenda të drejtës së tij për të shqyrtuar akuzat për parregullsi dhe opsionet e tij ligjore”, tha udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Shumica e republikanëve pranojnë privatisht se zoti Biden do të jetë presidenti i ardhshëm, por nuk janë të gatshëm të sfidojnë Presidentin Trump, tha strategu republikan Rob Stutzman.

“Llogaritë politike nuk lënë shteg për një përballje me Donald Trumpin, i cili vetëm me një postim në Twitter mund të kthejë kundër jush gati gjysmën e Partisë Republikane. Askush nuk e dëshiron këtë kokëçarje.”

Përgatitjet tashmë kanë filluar për ceremoninë e inaugurimit më 20 janar. Por procesi zyrtar i transferimit të pushtetit nuk fillon para se administratorja e emëruar nga Presidenti Trump e Agjencisë Federale të Shërbimeve të Përgjithshme ta konfirmojë atë, gjë që ajo nuk e ka bërë.

Pa bashkëpunimin e administratës në largim, përvoja politike dhjetëra vjeçare e ish-nënpresidentit Biden do të jetë thelbësore.

“Ai është shumë i njohur me Shtëpinë e Bardhë, burokracinë e ekzekutivit dhe mënyrën se si ajo funksionon, kështu që ai duhet ta ketë krijuar tashmë këtë ekip tranzicioni, i cili do të ketë përvojë mbi rrjedhën e proceseve në Uashington”, tha Barbara Perry nga Universiteti i Virxhinias.

Të martën, ekipi i zotit Biden njoftoi emrat e njerëzve që do të rishikojnë çdo agjenci qeveritare për të siguruar një transferim të qetë të pushtetit.

Exit mobile version