Presidenti Donald Trump thotë se shpreson ta takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un gjatë vitit 2019 edhe pse zoti Kim deklaroi për një audiencë kombëtare se vullneti i mirë i krijuar me Shtetet e Bashkuara në vitin që sapo u mbyll nuk mund të vazhdojë gjatë 2019-s.
Në një takim të kabinetit të mërkurën, zoti Trump tha se sapo kishte marrë një letër nga kreu i Koresë së Veriut.
Më parë gjatë ditës, Presidenti Trump shprehu në Twitter optimizëm për një takim të ri me udhëheqësin Kim.
Një ditë më parë, kreu i Koresë së Veriut paralajmëroi se Peniani mund të ndryshojë qëndrim ndaj bisedimeve bërthamore, nëse SHBA i vazhdojnë sanksionet ekonomike ndaj vendit të tij.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm për t’u ulur përsëri me presidentin amerikan në çdo kohë dhe do të bëj përpjekje për të prodhuar një rezultat që komuniteti ndërkombëtar do ta mirëpriste. Megjithatë nëse SHBA luajnë me durimin e popullit tonë, dhe vazhdojnë sanksione apo presione pa mbajtur premtimin që kanë bërë përpara botës, ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të eksplorojmë një rrugë të re për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe për të arritur paqen në gadishullin Korean”, tha Kim Jong Un.
Gjatë fjalimit me rastin e Vitit të Ri, zoti Kim shprehu gjithashtu “vullnetin e fortë,” siç e quajti ai, se Koreja e Veriut nuk do të prodhojë ose provojë armë bërthamore, as “do të përdorë ose përhapë” arsenalin e saj.
Negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut kanë ngecur që nga samiti i qershorit 2018 në Singapor.