Trump vendos të takojë Erdoganin pavarësisht kritikave

Presidenti amerikan Donald Trump do të presë më 13 nëntor në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Vizita vjen vetëm disa javë pas ofensivës turke kundër luftëtarëve kurdë në Siri, të cilët për një kohë të gjatë ishin aleatë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik.

Ligjvënës në SHBA nga radhët e të dyja partive e kritikuan Presidentin Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Demokratët kritikuan edhe ftesën për vizitë të zotit Erdogan, ndërkohë që Turqia vazhdon të sulmojë kurdët.

Sulmet e Turqisë kundër forcave kurde në veri të Sirisë nxitën thirrjet e shumë anëtarëve të Kongresit që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sanksione të fuqishme ekonomike ndaj Turqisë.

“Do të vazhdojmë thirrjet për sanksione ekonomike, të cilat do të veprojnë për aq kohë sa qeveria e Erdoganit sulmon aleatët tanë në luftën kundër ISIS-it, Forcat Demokratike Siriane”, i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës senatori demokrat Chris Van Hollen.

Një senator tjetër i kërkoi Presidentit Donald Trump që t’i tregojë Kongresit, se si do të sigurohet që Shteti Islamik nuk është ringjallur pas tërheqjes së trupave amerikane. Senatori Chuck Schumer e bëri po ashtu të qartë se nuk pajtohet me ftesën e zotit Trump për Presidentin turk Erdogan.

“Sinqerisht, është e habitshme se si Presidenti Trump po i shtron qilimin e mirëseardhjes një autokrati, veprimet e fundit të të cilit kërcënuan aleatët dhe partnerët tanë”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Presidenti Trump i dërgoi letër homologut të tij Erdogan ditën kur filloi ofensiva turke, muajin e kaluar, ku thuhej “Mos luaj të fortin. Mos u bëj i marrë”. Zoti Erdogan e quajti letrën akt të pasjellshëm. Prandaj, ishte e paqartë nëse vizita në Shtëpinë e Bardhë do të realizohej.

Por ekspertët thonë se megjithtë kritikat për mundësinë e krimeve të luftës në Siri, të dy presidentët Trump dhe Erdogan shpresojnë të riafirmojnë lidhjet e vjetra midis dy vendeve aleate të NATO-s.

“Kur hedh sytë nga Shtetet e Bashkuara, Presidenti Erdogan shikon vetëm një mik në të gjithë vendin. Për fatin e tij, është një mik shumë i rëndësishëm, është presidenti i Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump sheh një udhëheqës në Turqi, me të cilin pajtohet, për çfarëdo arsye, ndoshta sepse kanë një botëkuptim të ngjashëm në jetë…”, thotë eksperti Alan Makovsky i Qendrës për Zhvillimin Amerikan.

Eksperti i tha Zërit të Amerikës se megjithë letrën, Presidenti Trump duket se e admiron kokëfortësinë e Erdoganit dhe dëshiron të punojë me të.

Exit mobile version