Trupat irakene dhe kurde drejt marrjes së Mosulit

Trupat irakene dhe ato peshmerga kurde kanë avancuar në tri anët e Mosulit, pas një fundjave kur morën nën kontroll fshatrat dhe qytetet në jug, lindje dhe në veri të qendrave të grupit militant Shteti Islamik në Irakun Verior.
Luftëtarët peshmerga dhe trupat ushtarake irakene, të mbështetura nga koalicioni i fushatës ajrore të udhëhequr nga SHBA-ja, kanë bashkërenduar përpjekjet e tyre, ndërkohë që luftëtarët peshmerga kanë marrë nën kontroll tetë fshatra të pjesës verilindore duke iu afruar Mosulit në 9 kilometra.
Masud Barzani, presidenti i rajonit autonom kurd të Irakut, i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Carter Ash, se peshmergat kurde kanë marrë nën kontroll edhe qytetin strategjik Bashiqa, rreth 24 kilometra në verilindje të Mosulit.
Komandanti i forcave amerikane në Irak, Gjeneral–Lejtënant, Stephen Townsend, tha se posedon informata që “sugjerojnë se Presidenti Barzani ka të drejtë, se ka pasur një sukses të konsiderueshëm në Bashiqa”.
Kryeministri turk, Binali Yildirim tha se, tanket dhe artileria turke po mbështesin peshmergat, pavarësisht thirrjeve të Kryeministrit iraken, Haidar al Abadi në Bagdad që forcat turke në rajon të mos përfshihen në betejë.
“CNN” turk ka cituar Yildirimin të ketë thënë se peshmergat “janë mobilizuar që të pastrojnë rajonin Bashiqa” nga militantët e IS-it dhe kanë “kërkuar ndihmë” nga ushtria e Turqisë.
Përfshirja e fundit e Ankarasë në Irakun Verior mund të rrisë tensionet edhe më shumë me Bagdadin.
Bashiqa ishte një vijë e frontit ndërmjet militantëve të IS-it dhe luftëtarëve të peshmerga që kur u mor nga IS-i në gusht të vitit 2014.
Rreth 500 deri 1000 trupa turke janë pozicionuar në lindje të qytetit që prej fundit të vitit 2015 në një bazë ushtarake të njohur si Kampi Bashiqa, ku kanë trajnuar luftëtarët e milicisë fisnore të arabëve sunni dhe trupat peshmerga për të luftuar IS-in.
Ofensiva për të rimarrë Mosulin filloi një javë më parë, kur forcat peshmerga fillimisht avancuan drejt lindjes përpara se të vendoseshin në pozitat në fundjavë në pjesën verilindore të Mosulit.
Forcat ushtarake irakene në fundjavë kanë vënë nën kontroll qytetin strategjik Bartella në autostradën irakene, 12 kilometra në lindje të Mosulit. Ato gjithashtu kanë marrë edhe qytetin historikisht të krishterë Hamdaniyah, që kontrollon udhëkryqet strategjike në juglindje.
Trupat irakene gjithashtu mbajnë të bllokuara pozitat në jug të Mosulit dhe më herët gjatë fundjavës, kanë marrë edhe fshatin Tall Kayhf, 5 kilometra në veri të qytetit.
Megjithëkëtë, të hënën u njoftua se militantët e IS-it vazhdojnë të kontrollojnë territorin në perëndim të Mosulit, përfshirë edhe pozitat përgjatë autostradës irakene që çon drejt Sirisë.
Udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur shqetësimet e tyre se luftëtarët e IS-it do të provojnë të përzihen me civilët që po ikin nga Mosuli.
Por analistët ushtarakë thonë se shumica e luftëtarëve të huaj të IS-it brenda Mosulit do të vazhdojnë të qëndrojnë në pozitat e tyre për të luftuar brenda qytetit.
Derisa ofensiva e udhëhequr nga Iraku po avancon me tanket dhe artilerinë që po vendoset në afërsi të qytetit, militantët e IS-it kanë provuar që të nisin një ofensivë ndaj Mosulit nga perëndimi dhe juglindja e qytetit.

Artikulli paraprakCDU: Merkel të kandidojë për të katërtën herë
Artikulli tjetërFushata e Clinton: Nuk gëzohemi para kohe