Trupi i Marnikollaj u masakrua nga policia dhe u hodh nga kati tretë

Ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj vërtetoi pretendimet e familjes së tij se, ai është dhunuar barbarisht nga policia greke përpara se të ndërronte jetë. Ai ka hematoma në pjesë të ndryshme të trupit, ka shenja të djegies së cigares në duar, gjoks e shpinë. Familjarët dyshojnë se dhuna barbare është ushtruar në postën e policisë “Ano Patisia” në Athinë.
Ajo çfarë ka ndodhur me të riun më 3 gusht në këtë postë policie është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Ministria e Jashtme e Shqipërise e pohoi këtë, teksa kërkoi hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes.
Raporti i mjekësisë ligjore do t’u dërgohet autoriteteve që po hetojnë mbi shkaqet e vdekjes së të riut nga Rrila e Lezhës.
Deri tani gjithçka është e mbuluar nga misteri.
Trupi i tij u gjet në frigoriferët e varrezave publike të Athinës.
F.H., mik i Marnikollajt, futbollist në një ekip grek, hedh dyshime se ai është vrarë nga policia greke. Ai ka qenë duke folur në telefon me Marnikollajn kur ai po shkonte të paraqitej në polici, për të zbatuar një vendim të gjykatës që e kishte dënuar atë me “detyrim paraqitje”.
“Isha në rajon policie, pas 2 apo 3 orësh e mora në telefon nuk përgjigjej më, telefoni ishte i fikur, u shqetësuam. Kontaktuam shoqen tonë avokate. Pasi e morëm në telefon shkuam në polici bashkë me vëllain e viktimës dhe dajën e tyre. Pyeti avokatja dhe na tha që Pëllumbi është pajetë. Polici më tha është hedhur nga kati i 4-t, i kërkova me tregu se ku është hedhur, ma bëri me dorë, por më tha që janë arsye hetimore. I kërkova me hap kamerat, tha që serveri nuk punonte atë ditë”, ka rrëfyer ai.
Policia greke pretendon se Pëllumbi është hedhur nga kati i katërt. Familjarët dhe miku i tij i ngushtë e hedhin poshtë këtë version. Ishin ata që insistuan në kryerjen e autopsisë nga autoritetet shqiptare, pasi autoritetet greke e kishin bërë autopsinë pa vënë në dijeni asnjë nga familjarët.
“Kur shkuam tek varrezat na thanë që autopsia është bërë me urdhër të rajonit të policisë. Ne u çuditëm, si ka mundësi që është bërë kjo pa dijeninë e familjarëve. Pasi na dhanë kontaktin me agjencinë private funerale nuk dëgjonin të na tregonin trupin pa urdhër të Prokurorisë, derisa më në fund e pamë trupin. Syri i majtë i nxirë krejt, shpina, dora e majtë e nxirë krejt. Ai ishte torturuar deri në vdekje. Nuk donim gjë tjetër veçse me marrë trupin deri në shtëpi. Ishte dërguar në varreza si një njeri i paidentifikuar”, shprehet miku i tij.
Në Shqipëri kjo ngjarje po përcillet me shqetësim. Publiku dyshon se mund të jetë një rast i ngjashëm me atë të Ilia Karelit, shqiptarit që u provua se u vra barbarisht nga disa gadianë burgu, duke e dhunuar. Ashtu si me ngjarjen e Ilia Karelit, hetimet për zbardhjen e ngjarjes po kryhen nga Prokuroria shqiptare.

Babai i 29-vjeçarit: Vrasja nuk është aksidentale

Nikoll Marnikollaj nuk i beson versionit të policisë greke për vdekjen e djalit të tij 29-vjeçar, Pëllumbit. Ai thotë se vrasja nuk është aksidentale dhe se djali i tij nuk është hedhur nga kati i katërt i postës së policisë në një lagje të Athinës, siç raportoi policia greke.
“Do e kërkojmë deri në fund, por i bëj thirrje qeverisë dhe të gjitha autoriteteve që të zbardhin të vërtetën për këtë ngjarje të rëndë e të mos e fshehin atë”. Kështu është shprehur babai i Pëllumb Marnikollës, të riut nga Lezha, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një rajon policie në Greqi. Sipas babait të viktimës Nikoll Marnikollaj, pasi e kanë vrarë autoritete greke janë munduar që të fshehin gjurmët. Sipas Marnikollajt ditën që familjarët e tij kishin shkuar në Greqi për ta kërkuar, autoritetet vendase po kryenin procedurat për ta varrosur.
Teksa akuzon policinë greke për krimin, ai tregon edhe telefonatën e fundit të të birit, i cili i kishte treguar se po shkonte në rajon të policisë. Nikoll Marnikollaj i bën apel autoriteteve shqiptare, por edhe atyre greke që të zbardhin vrasjen e djalit dhe të dënojnë autorët e këtij krimi. “Vdekjen e djalit tim e ka shkaktuar policia e Athinës më datën 3 gusht. Djali ka shkuar për t’u paraqitur për të zbatuar rregullat e tyre. Për të firmosur. Ai ka shkuar në polici dhe nuk ka dalë më i gjallë nga aty. Se si kanë ndodh gjërat nuk e di, por nuk është e vërtetë për gjërat që thonë ata, pasi djali ka shkuar me dëshirën e tij për t’u paraqitur dhe për t’u kthyer në shtëpi. Ata e dhunuan, e masakruan dhe i morën edhe jetën. Për 8 ditë me radhë ka humbur pa asnjë adresë. Kemi kontaktuar me policinë dhe avokatin dhe na është thënë se nuk është këtu. Prej kalimit të ditëve, pa asnjë informacion, na u shtuan dyshimet, pasi flisnim çdo ditë bashkë. Në ditën e fundit ka folur djali tjetër me të dhe i ka thënë se ka shkuar për t’u paraqitur, ku i ka thënë se sapo të dalë do të fliste me të, gjë që nuk ndodhi kurrë. Ne u angazhuam për të zbardhur ngjarjen. Avokati nuk ka informuar për ngjarjen, por ne morëm një tjetër avokat, i cili ka shkuar në rajon dhe kemi mësuar që djali ynë nuk jeton më. Trupin e pajetë e gjetëm në një spital, aty ku nuk u gjet djali, por pas disa ndërhyrjesh është mësuar se ai ishte transferuar për në varrezat ku ishte caktuar prej autoriteteve për t’u varrosur. Aty u gjet trupi, duke u përgatitur për t’u varrosur nga punëtorët. U ndalua varrimi i tij. Ai ka pasur të gjitha dokumentet me vete, të dhënat, por ata nuk e kanë bërë identifikimin. Kam bindjen e plotë se ai nuk është vrarë aksidentalisht, por është dhunuar e masakruar nga policia. Është bërë ekspertiza në Shqipëri e presim raportin. Do e kërkojmë deri në fund, por i bëj thirrje qeverisë dhe të gjitha autoriteteve që të zbardhin të vërtetën për këtë ngjarje të rëndë e të mos e fshehin atë”, tha babai i viktimës.

Exit mobile version