Nga Ermal Peçi
Ajo çfarë ndodhi vetëm pak minuta më parë edhe riprezantimi i kandidatëve të Partisë Demokratike është një dëshmi tronditëse se kjo forcë politike ka humbur aftësinë për të reflektuar, për t’u vetërishikuar dhe mbi të gjitha – për të fituar. Në vend që të ishte një moment rilindjeje politike, ajo u kthye në një fotografi të trishtë: një trup pa shpirt. Një trup që ekziston, por që nuk frymëzon; që flet, por që nuk dëgjohet më.
Ajo që bie në sy në mënyrë dramatike është mungesa e një qasjeje meritokratike. PD ka zgjedhur t’u besojë sërish figurave të vjetra, disa prej të cilave janë konsumuar jo vetëm nga koha, por edhe nga kompromiset që kanë bërë me pushtetin dhe me vlerat që kjo parti pretendon se përfaqëson. Në vend të meritës, është shpërblyer bindja e verbër ndaj Sali Berishës – një lojalitet i pashoq politik, që në vend të jetë virtyt, është kthyer në kriter ekskluziv për përzgjedhjen.
Listës së sigurtë të deputetëve i mungojnë figurat që kanë qenë me demokratët në rrugë, në protesta, në betejat politike dhe institucionale. Janë lënë jashtë individë me përvojë të gjatë politike, me kontribute konkrete dhe me vizion modern për të ardhmen e vendit. Janë përjashtuar ata që nuk kanë kërkuar asnjëherë privilegje, por që kanë punuar për një PD të hapur, për një opozitë të denjë. Ky përjashtim i heshtur është një formë ndëshkimi për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë ndryshe brenda një partie që ka ngrirë në kohë.
Në anën tjetër, aleatët politikë – që në shumicën e rasteve nuk përfaqësojnë më as veten e tyre – janë vendosur në pozicione të sigurta. Kjo nuk është fryma e një koalicioni të gjallë dhe strategjik, por një marrëveshje për mbijetesë personale. Është një ndarje kutish, jo një bashkim vlerash.
Ky është momenti kur shumë demokratë pyesin veten: “Kush jemi ne sot?” Dhe përgjigjja është alarmante. PD ka mbetur një trup formal, një makinë elektorale që nuk ka më motorin e saj kryesor – shpirtin demokrat. Shpirtin e garës së ndershme, të përfaqësimit të bazës, të përfshirjes së brezit të ri, të ideve që sfidojnë të vjetrën, jo që e ripërsërisin.
Në politikë, shpesh fiton jo ai që ka më shumë emra në listë, por ai që ka më shumë besim në zemrat e njerëzve. Dhe ky besim nuk ndërtohet mbi klientelizëm, nostalgji apo besnikëri ndaj një njeriu të vetëm. Ndërtohet mbi përfshirje, frymë dhe guxim për të ndryshuar.
Sot, PD-ja është një trup pa shpirt. Dhe një trup pa shpirt, nuk mund të jetë fitues. Mund të ekzistojë, por nuk mund të udhëheqë. Mund të garojë, por nuk mund të fitojë. Dhe nëse nuk ndodh një tronditje e thellë, jo vetëm në emra, por në mendësi, ajo rrezikon të mbetet gjithnjë një hijë e vetes që dikur ndezi shpresë në këtë vend.