Në lidhje me uljen në tryezën për Reformën Zgjedhore të 4 përfaqësuesve të opozitës parlamentare dhe jo parlamentare dhe të mazhorancës ka reaguar edhe BE përmes ambasadorit të saj Luigi Soreca.
Soreca është shprehur se BE mirëpret marrëveshjen e sotme ndër-partiake për Reformën gjithëpërfshirëse Zgjedhore e cila është një arritje e rëndësishme, për rivendosjen e stabilitetit politik të Shqipërisë, dhe rrugën drejt integrimit evropian.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e sotme ndër-partiake mbi rrugën përpara për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Është një arritje e rëndësishme për rivendosjen e stabilitetit politik të Shqipërisë dhe në kontekstin e procesit të integrimit të BE të Shqipërisë.
Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë që do të miratohet nga Parlamenti, në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmen e tyre evropiane”, shkruan Soreca.