Kryeministri grek, Alexis Tsipras, i mbijetoi të mërkurën një votëbesimi në parlamentin e Greqisë, duke hequr një pengesë të madhe për miratimin e një marrëveshjeje për t’u dhënë fund mospajtimeve për emrin e Maqedonisë dhe duke shmangur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Kryeministri Tsipras e kërkoi votë besimin pas dorëheqjes së partnerit të koalicionit qeverisës, Panos Kammenos dhe grekëve të tij të pavarur, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes lidhur me emrin, që u nënshkrua ndërmjet Athinës dhe Shkupit vitin e kaluar.
Parlamenti mbështeti kryeministrin Tsipras me 151 vota, duke kaluar pragun e kërkuar në përbërjen prej 300 vendesh të parlamentit. Partia e tij e majtë, Syriza ka 145 vende në parlament ndërsa para largimit të partisë ANEL të Kammenosit shumica kishte edhe gjashtë vota të tjera.
Ai tha pas votimit se ajo ishte votë për qëndrueshmërinë e vendit.
Kundërshtarët e marrëveshjes thonë se emri i ri i Maqedonisë, Republika e Maqedonisë së Veriut, që u arrit pas dekadash të mospajtimeve ndërmjet Athinës e Shkupit, paraqet një përpjekje për të përshtatur identitetin grek.
Maqedoni quhet një nga rajonet më të mëdha në veri të Greqisë.
Marrëveshja që u arrit në mesin e vitit 2018, tashmë është miratuar nga parlamenti i Maqedonisë së cilës i krijon mundësi që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Marrëveshje duhet të ratifikohet edhe nga parlamenti grek.