Tuchel në “pole” për stolin e Arsenalit

Mungesa e rinovimit të Arsene Wenger me Arsenalin ka shtuar zërat për një largim të mundshëm të trajnerit francez nga topçinjtë e Londrës në përfundim të këtij sezoni. Pas 20 viteve në drejtimin e Arsenalit, Wenger po mendon seriozisht të tërhiqet nga profesioni i trajnerit dhe për të mos u gjendur të papërgatitur, nëse francezi merr një vendim të tillë, drejtuesit e klubit londinez po punojnë për të gjetur pasuesin e 67-vjeçarit. Në pole position qëndrojnë dy emra të rëndësishëm si Thomas Tuchel dhe Massimiliano Alegri, por do të jetë e vështirë që këta dy trajnerë të largohen nga skuadrat e tyre respektive.
Tuchel shikohet si prioritet për faktin se është një trajner që u jep shumë hapësira lojtarëve të rinj, ndërkohë që me një si Alegri Arsenali mund të synojë të fitojë titullin kampion në Angli, që i mungon që nga viti i largët 2004-të. Por për momentin, Tuchel dhe Alegri janë nën kontratë me Borussian e Dortmundit dhe Juventusin dhe për drejtuesit e klubit anglez nuk do të jetë e lehtë të shkëputin asnjë prej tyre. Në këtë mënyrë, te Arsenali po mendojnë edhe për dy emra të tjerë, bëhet fjalë për trajnerin e Monacos, Leoanardo Jardim, i cili aktualisht po zhvillon një sezon fantastik me klubin nga Principata, një tjetër alternativë është Roger Schmitd, trajneri i Bayer Leverkusenit.

Artikulli paraprakPasojat e “Brexit”
Artikulli tjetërLa Liga, kampionati me nivelin më të ulët të kohës efektive