Herën e fundit, kur PSG humbi dy ndeshje në shtatë javët e para të kampionatit, nuk e fitoi titullin kampion. Kjo ndodhi tri vite më parë dhe u konsiderua një poshtërim për një skuadër të mbushur me yje, me paga nga më të majmet në gjithë Europën.
Ndërkohë, Monaco, e cila fitoi titullin atë sezon, u “grabit” nga parizienët. Kylian Mbappe kaloi nga Principata në kryeqytet, te klubi i emirëve të Katarit. Të mërkurën, njeriu më i fuqishëm në Doha ishte në tribunën e “Parce des Princes”.
Sigurisht, ai u hidhërua nga humbja ndaj modestëve të Reims (0-2), madje shpërtheu kundër lojtarëve e trajnerit Thomas Tuchel.
Trajneri gjerman, i cili u ngrit në qiell javën e kaluar, pas fitores 3-0 ndaj Real Madridit, në Champions, është vënë fort nën presion. Ka një pikëtakim të frikshëm për Tuchel. Herën e fundit, kur Reims e kishte mundur PSG, drejtor sportiv ishte Leonardo, ndërsa në stol Carlo Ancelotti, në vitin 2013.
Këtu u vulos edhe largimi i trajnerit të njohur italian, asokohe. Prandaj, duket e pashmangshme, sipas “La Gazzetta dello Sport”, që hija e Allegrit të mos shtrihet mbi Tuchel.
Këtë hipotezë e shohin reale edhe ekspertët sportivë francezë. Tani, palët mezi presin sfidën e nesërme me Bordeaux, në fushën e kësaj të fundit. Një tjetër dështim do ta vinte Tuchel para “togës së pushkatimit”…