Fluksi i lartë i turistëve në Shqipëri nuk ka ndalur as pas përfundimit të sezonit turistik.
Në rrugët e kryeqytetit, ndryshe nga disa vite më parë, shihen turistë edhe gjatë muajve të dimrit. Kësaj radhe, numri më i madh i tyre vjen nga Italia, dhe shumë prej tyre preferojnë të qëndrojnë më shumë gjatë fundjavave.
Pas dhjetorit të vitit të shkuar, edhe këtë janar, duket se tendenca ka qenë në rritje, ku numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri rezulton gati 30 për qind më i lartë se janari i një viti më parë.
Sipas INSTAT, “numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 489,599. Ky numër është rritur me 29.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.”
Të nxitur nga çmimet ekonomike të biletave të fluturimit, ata po e kthejnë Shqipërinë në një destinacion të preferuar turistik.
Ana dhe Santia nga Italia tregojnë se udhëtimi i tyre për në Shqipëri erdhi për shkak të çmimeve shumë të lira të fluturimeve.
“E planifikuam të vijmë në Shqipëri para 20 ditëve, sepse Ryanair kishte biletat shumë të lira,” thanë vajzat.
Jo vetëm Ana dhe Santia zgjodhën të vizitonin vendin për shkak të biletave të lira, por edhe Geri me Dan nga Wells.
Ata tregojnë se ajo çka i shtyu të vizitonin vendin ishin çmimet e lira të biletave të fluturimit. Kjo sepse mund të udhëtonin edhe në vende të tjera fqinje si Italia dhe Greqia.
Vendin tonë e prezantojnë si një destinacion të pazbuluar me histori të pasur, duke krijuar një surprizë të këndshme për turistët. Ushqimi i shijshëm dhe çmimet e arsyeshme janë vetëm disa nga elementet që i befasojnë ata në këtë udhëtim.
“Kjo është dita jonë e tretë dhe ajo çka na ka pëlqyer më shumë ka qenë ushqimi. Ushqimi është fantastik, çmimet janë shumë të lira, sidomos ushqimi dhe pijet- tha Dan.
“Diçka tjetër që më pëlqen këtu është se ka ndërtesat e vjetra, histori por ka edhe arkitekturë moderne, tregon Geri.
Klara nga Italia, e cila festoi ditëlindjen e saj në vendin tonë me shoqërinë e saj, shprehet se Shqipëria ishte vendi perfekt për të kaluar një javë.
“Ne vendosëm para një jave që të vinim në Shqipëri, fluturimet ishin të lira dhe thamë pse jo. Kjo ishte perfekte për ne. Këtu është shumë lirë dhe vend shumë miqësor për turistët, njerëzit janë të sjellshëm dhe në restorant u treguan shumë të mirë.”
Megjithatë, sfidat kryesore vazhdojnë të jenë transporti publik dhe trafiku, duke e bërë eksperiencën e tyre të pasur në emocione të ndryshme.
“Trafiku, rrugët shumë të këqija dhe transporti publik një tmerr, nuk mund të gjenim dot asgjë. Shkuam në liqenin e Bovillës, por udhëtimi ishte i vështirë, të them të drejtën, rruga për të arritur atje ishte tmerr, nuk di mbase sepse kishte rënë shi apo ndonjë arsye tjetër, por në të vërtetë, ishte shumë i tmerrshëm si udhëtimi, por liqeni nga lart ishte shumë i bukur, ja vlente,” shprehen Ana dhe Sati pak të zhgënjyera.
Klara tha që për të udhëtuar jashtë qytetit atyre iu desh të merrnin një makinë me qira, dhe për to ky ishte shpenzimi më i lartë së bashku me benzinën.
Por Geri dhe Dan të lumtur me eksperiencën e tyre këtu tregojnë se bileta e lirë e autobusit i befasoi për mirë, pasi për një rrugë 30 minutash nga qendra deri te teleferiku ata paguan 40 cent. Nëse do të bënim të njëjtën rrugë në Mbretërinë e Bashkuar do të paguanim 10 herë më shumë.
Airbnb është zgjedhja kryesore për shumë udhëtarë, pasi ofron një kombinim të kostos së ulët dhe lirshmërisë së strukturave. Kjo preferencë ka bërë të mundur që shumë turistë të shijojnë qëndrimin e tyre në Shqipëri me një buxhet më të arsyeshëm, duke i lejuar ata të eksplorojnë dhe të ndihen pjesë e kulturës vendase.
“Hoteli për ne ishte shumë i kushtueshëm dhe Airbnb i lirë, por na ofroi edhe parkim privat për makinën që morëm me qira,” tregon Klara.
“Shpenzuam vetëm 30 paund për një natë, ishte shumë vend i mirë dhe do e zgjedhim përsëri nëse do të rikthehemi,” tha Dan.
Shqipëria vazhdon të përmbushë pritshmëritë e turistëve me bukuritë natyrore, kulturën dhe traditën e saj. Pavarësisht sfidave në infrastrukturën e transportit, turistët po largohen të lumtur, duke theksuar gjestet e mirësjelljes dhe mikpritjes nga populli shqiptar.
“Njerëzit vërtet janë shumë të mirë, dy-tre herë që kemi pyetur për informacione, ata gjithmonë na kanë ndihmuar,” tregon Ana./Armela Toska