Turizmi në Shqipëri është kthyer në rrezik vdekje. Është e frikshme të udhëtosh me makinë drejt zonave turistike, pasi përfundon në kanal dhe gjen vdekjen siç ishte rasti i dy të rinjve italianë dhe dy shqiptarëve një ditë më parë në Velipojë, të cilët humbën jetën tragjikisht, ndërsa po shkonin drejt plazhit. Aksidentet me vdekje ndodhin në rrugët që kryhen punime, në rrugët pa sinjalistikë dhe pa mbrojtëse. Gjithçka është jashtë kontrollit të policisë në këtë sezon turistik.
Po aq e frikshme është edhe të bësh plazh në bregdetin tonë, pasi mund të humbasësh jetën nga motorët e ujit që lëvizin mes kokave të njerëzve. Kjo i ndodhi paraditen e djeshme një pushuesi rus 43-vjeçarit Denis Kaiumov, që notonte në plazhin e Livadhit në Himarë. Trupi i tij u gjet i masakruar nga helikat e një mjeti motorik vetëm 50 metra larg bregut. 43-vjeçari ishte ende gjallë kur u gjet, por humbi jetën në spital nga plagët e rënda të marra në kokë dhe trup.
Është vetë policia që konfirmon se rreth orës 11:40, midis Himarës dhe Livadhit u pa një person i dëmtuar brenda në det nga ku u mor dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Himarës, ku dhe ndërroi jetë. Nga këqyrja që i është bërë trupit të viktimës, ka rezultuar se ka marrë dëmtime në pjesën e shpinës dhe të gjymtyrëve.
Policia thotë se, viktima është 43-vjeçari Denis Kaiumov, një turist rus, i cili po pushonte me gruan dhe vajzën e tij. Ai dyshohet se mund të jetë goditur nga ndonjë mjet i shpejtë lundrues, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Në distancën ku u gjet trupi i viktimës është rreptësisht e ndaluar të lundrojnë mjete të tilla motorike, e megjithatë personat që posedojnë këto mjete, gjejnë guximin t’i afrohen bregut, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve.
Dhe pasojat e kësaj papërgjegjshmërie rezultuan tragjike. Megjithë patrullimin e policisë në plazhet dhe vijën bregdetare, ka ende persona që nuk e kanë frikë ligjin dhe që me papërgjegjshmërinë e tyre shkaktojnë viktima. Policia jo vetëm që është treguar e paaftë për të menaxhuar situatën, por ka patur edhe presione nga njerëz të pushtetshëm për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Në bregdet nevojiten kontrolle më të ashpra që të tilla ngjarje të mos përsëriten dhe që pushuesit të futen në det pa frikën se mund të goditen nga motorët e ujit.
Vjekja e turistit rus që kish vendosur të kalonte pushimet në jugun e Shqipërisë së bashku me bashkëshorten dhe vajzën, tregon edhe një herë mungesën e sigurisë jo vetëm në rrugë, por edhe në det. Bregdeti i vendit tonë ndodhet në kaos të plotë dhe jashtë kontrollit. Edhe pse pushuesit kishin paralajmëruar prej nisjes së sezonit të plazhit një tragjedi të tillë në Himarë, policia nuk ndërhyri asnjë herë.
Motorrat e ujit u ndaluan në kohën e qeverisë demokratike ndërsa me ardhjen në pushtet të “Rilindjes” ata u rikthyen duke u bërë vdekjeprurës për pushuesit. Në plazhet e huaja masat janë të rrepta përsa i përket mjeteve lundruese ndërsa këtu tek ne lejohen nga qeveria pa asnjë kruter. Këtu askush nuk do t’ia dijë për pasigurinë në plazhe.
R.POLISI
Qeveria të kërkojë ndjesë për vdekjet tragjike të turistëve
Mimoza HAJDARMATAJ
Qeveria të kërkojë ndjesë, për vdekjet tragjike të turistëve….
Qeveria të zhduket, pas vdekjeve tragjike të shqiptarëve…
Në vijim të tronditjeve të përditshme të realitetit tonë, vjen sot dhe humbja tragjike e jetës së një turisti rus në brigjet e Himarës.
As 24 orë pas aksidentit të Velipojës ku viktima mbetën 2 të rinj shqiptarë dhe dy italianë…
Ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave!
Ngushëllimet më të sinqerta edhe familjeve dhe të afërmve të miqve, dashamirës të Shqipërisë.
Sot më tepër se kurrë, kjo qeveria kusare, duhet të kërkojë një ndjesë të madhe publike, që grabit fondet e rregullimit dhe ndriçimit të rrugëve, që shpërfill sigurinë e pushuesve me
mungesën e forcave të rendit në tokë dhe në det.
Të ishte ndonjë banket apo Party për festat kombëtare të gjithë politikanët do të rendnin me vrap në selitë diplomatike për të pozuar sa më bukur.
Asnjë nuk ndihet apo del të shprehet, për të thënë diçka, mbi gjithë këtë realitet të dhimbshëm, por që bën me turp pikësëpari shtetin.
Me kokën ulur, e të turpëruar nga qeveria dhe qeverisja, sot u kërkojmë ndjesë të gjithë shqiptarëve, por tashmë edhe turistëve të huaj që rrezikojnë jetët e tyre, nga dashamirësia për mrekullitë e kësaj toke.