Turizmi, bekim apo mallkim?!

NGA ALBI XHUNGA

Një proverbë kineze thotë se duhet të bësh kujdes për çfarë uron të ndodhë, pasi urimi nesër mund të bëhet realitet.

Tema kryesore në këto ditë të nxehta vere në Shqipëri është turizmi. Debati fokusohet mbi numrin e turistëve. Ka rënie në krahasim me vitin e kaluar, apo trendi vazhdon të jetë në rritje. Natyrisht që rritja e fluksit konsiderohet apriori si lajm i mirë. Rritja e çmimeve në plazhet e jugut nuk kishte si të mungonte në këtë debat, pjesë e të cilit është bërë dhe kryeministri i vendit, i cili shprehet i zhgënjyer me vlonjatët që rrisin çmimet.

Të gjithë duket se duan më shumë turistë. Zërat skeptikë mbi këtë fenomen të ri në realitetin shqiptar ose mungojnë, ose janë të sfumuar përballë etjes për fitim nga operatorët turistikë dhe nga propaganda qeveritare, e cila këtë bum të turizmit shqiptar përpiqet ta shesë si sukses të sajin. Kur kjo skemë nesër të dështojë, natyrisht që do të jetë faji i grykësisë së operatorëve vendas dhe jo i qeverisë që nuk ka asnjë plan për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, brenda normave dhe që respekton natyrën, kapacitetet e plazheve dhe qendrave turistike shqiptare.

Rritja e çmimeve, përveç se është pjesë e një tregu që funksionon si bursë kërkesë-ofertë, na mbron dhe nga dyndjet masive të ushtrive turistike që lënë pas vetes male me plehra dhe ndotje ambienti. Këtu nuk i hyn në punë askujt mendimi i kryeministrit. Dorën e padukshme të Adam Smith që rregullon tregjet, nuk mund ta zëvendësojmë me dorën e ngrohtë të Edi Ramës.

Etja për fitim ka betonizuar një pjesë të mirë të bregut shqiptar dhe po vijon frikshëm në pjesën e mbetur. Ndërtimet kaotike po pushtojnë çdo zonë turistike, duke krijuar një ambient të shëmtuar, me dyndje njerëzish në hapësira të ngushta, si Durrësi, Ksamili etj. Kapacitet turistik nuk do të thotë vetëm numër shtretërish nëpër hotele, tryezash nëpër ristorante apo shezlongësh në plazh. Numri i turistëve duhet të jetë i drejtë dhe në raport me hapësirat e zonës. Përndryshe do të kemi hapësira turistike të mbipopulluara dhe të mbi ndotura. Në zona të caktuara ky fenomen i shëmtuar është tashmë realitet.

Ferri i turizmit masiv

Duhet bërë një ndarje e qartë mes turizmit të qëndrueshëm, i cili zhvillohet në flukse normalë turistësh në raport me kapacitetet e një vendi të vogël si Shqipëria dhe shkatërrimit që vjen nga turizmi masiv. Vitet e fundit na tregojnë se Shqipëria po përballet me turizmin masiv, i cili në fakt rrezikon ta vrasë turizmin. Një turizëm me flukse të tilla nuk mund të ketë veçse impakt shkatërrues në terma afatmesëm e afatgjatë.

Për të arritur në një përfundim të tillë nuk na duhet të shpikim rrotën. Mjafton të shohim fqinjët tanë ballkanas. Ishujt e bukur grekë si Mikonos e Santorini. Dyndja në përmasa apokaliptike po krijon situata alarmante për mjedisin, për cilësinë e vizitës së ishujve dhe mbi të gjitha për nivelin e frikshëm të ndotjes. E njëjta histori në Kroaci, ku dyndjet e turistëve kanë ngritur alarmin e nivelit të ndotjes. Rritja e trafikut detar si pasojë e turizmit masiv ka rritur ndjeshëm nivelin e ndotjes në Adriatik.

Sipas raportimeve të ojq-së me prestigj botëror WWF, i gjithë Mesdheu po shndërrohet në një kosh të madh plehrash. Për arsye lokale niveli i ndotjes në ujërat shqiptare ishte goxha më i lartë në Shqipëri, se sa në vendet fqinje. Askush nuk flet për një çështje kaq alarmante. Studiot shqiptare kanë kocka plot me debate politike për t’i hedhur publikut.

Kush fiton nga turizmi

Të jetosh në një qytet të përmbytur nga turizmi është një ferr i vërtetë. Për këtë mjafton të pyesësh banorët lokalë të qyteteve si Barcelona, Venecia, apo Dubrovniku. Venecia ka arritur shifrën e frikshme të 100 mijë vizitorëve në ditë, çka bën të pamundur edhe ecjen në rrugë. Në vitin 2017 në Dubrovnik kryetar bashkie u zgjodh dikush që propozonte si politikë uljen radikale të numrit të turistëve, për ta bërë qytetin sërish të jetueshëm dhe turizmin një biznes të qëndrueshëm që zgjat në kohë.

Sot kryebashkiaku i Dubrovnikut, Mato Frankoviç, krenohet me faktin se ka arritur ta përgjysmojë numrin e turistëve që vizitojnë qytetin.
Banorët e qyteteve që përballen me mbiturizëm vuajnë pasoja të konsiderueshme. Në qytetin e Tiranës qeratë e apartamenteve janë bërë të papërballueshme për qytetarin shqiptar. Kërkesa në rritje e fluksit turistik ka krijuar një inflacion që përplaset në buxhetet modeste të familjeve shqiptare. Rritja e çmimeve vihet re në çdo sektor të ekonomisë, nga ushqimi, tek shërbimet, e deri nëpër kafene e restorante. Për qytetarët e Tiranës turizmi është një faktor që ua bën jetën të vështirë.

Entuziazmit fillestar për grupet e të huajve që vizitojnë Shqipërinë, po i mbivendosen shqetësimet dhe vështirësitë ekonomike që sjell turizmi për banorët lokalë. Pa llogaritur bezdisjen që sjellin flukset turistike në të gjitha hapësirat e përbashkëta të qytetit.

Natyrisht që nga turizmi ka edhe goxha përfitim. Pronarët e hoteleve dhe resorteve nxjerrin fitime të konsiderueshme. Edhe pronarë apartamentesh, restorantesh e lokalesh kanë rritur fitimet falë këtij bumi turistik. Ka dhe një numër të konsiderueshëm njerëzish që punësohen në këtë sektor.

Qeveria shqiptare ka rritur gjithashtu të ardhurat nga turizmi. Problemi është se qeveria shqiptare ka dështuar në dy aspekte kryesore.

Së pari nga turizmi do të duhej të kishte përfituar i gjithë zinxhiri ushqimor vendas, nga fermeri prodhues e deri te shitja finale e produktit nëpër restorante apo markete. Në fakt raportime të besueshme tregojnë se fermeri shqiptar nuk po përfiton nga ky bum turistik.

Se dyti nga turizmi do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët shqiptarë. Bashkë me dhomën e hotelit apo ushqimin në restorant, ne po iu shesim të huajve dhe natyrën tonë të bukur që është pronë e të gjithëve. Pra nga turizmi do të duhej të përfitonin të gjithë. Jo vetëm që kjo nuk po ndodh, por qeveria shqiptare nuk po gjen as forma rikompesimi për kostot e shtuara që sjell turizmi për qytetarët e zonave ku bumi turistik është më i madh.

Fermerët shqiptarë kanë protestuar disa herë për të vënë në dukje faktin se ata nuk mund të konkurrojnë fermerët kosovarë e maqedonas, për shkak se në Shqipëri skemat e ndihmës shtetërore janë inekzistente dhe inefikase.

Autoritetet shqiptare vjedhin dhe fondet e BE-së, por kjo është një temë tjetër. Rezultati është se Shqipëria i furnizon turistët me produkte importi. Pra pjesa përfituese e ekonomisë shqiptare limitohet në bizneset që ofrojnë hoteleri e shërbime. Këtu mund të futen dhe punëtorët sezonalë. Por kaq.

Mund të nxjerrim si konkluzion se nga turizmi fiton një numër i kufizuar biznesesh dhe qeveria. Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë paguajnë kosto të larta, pa pasur asnjë përfitim. Një studim i vitit të kaluar i RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) tregon se 60 përqind e shqiptarëve të thjeshtë nuk paguajnë dot një javë pushime në vit.

Pra qytetarët e parajsës turistike duhet ta shohin plazhin me dylbi. Nëse ky trend vazhdon, atëherë shqiptarët i kanë të gjitha shanset që të bëhen një komb kamerierësh dhe Shqipëria një kosh i madh plehrash.

Artikulli paraprakPropagandizmi dhe modeli i “suksesit” të lehtë nuk vazhdojnë tej kufijve tanë
Artikulli tjetërProtesta në autostradën Thumanë-Kashar, Sabah Sheta: U përshkallëzua në hedhjen e gazit lotsjellës dhe goditjen me ujë në drejtim të protestuesve nga ana e policisë