Turizmi e vapa “shtuan” aksidentet, u rritën me 48% në muajin Gusht! Ja dita dhe orari me numrin më të lartë

Shtimi i trafikut në muajin gusht duket se ka ndikuar dhe në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në muajin Gusht 2024 numërohen 173 aksidente rrugore. Në krahasim me gushtin e një viti më parë, kur u shënuan 117 aksidente, numri i tyre u rrit me 48%.

 

Krahas aksidenteve është shtuar dhe numri i të dëmtuarve në to. Në gusht 2024 kishte gjithsej 252 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur), me një rritje prej 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (INSTAT njofton se të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi).

Për 8 mujorin janë shënuar gjithsej 1086 aksidente, me rritje 41% me bazë vjetore. Nga këto aksidente janë dëmtuar gjithsej gati 1500 persona, ose 40% më shumë se një vit më parë.

Gjatë këtij tetëmujori të 2024 vdekshmëria në aksidente rrugore është 9,2 për 100 aksidente, nga 15,7 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet rrugore, në 91,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Në muajin Gusht 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Premte me 22,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Martë, me 8,1 %.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 22,5 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej./Monitor

graf-1-

 

Exit mobile version