Nga Klodian Tomorri
Tre të katërtat e popullsisë së botës sot jeton në ato që njihen si vende me të ardhura të mesme. Ndërsa të gjithë këta shpresojnë që një ditë të ndërrojnë statusin duke iu bashkangjitur klubit të vendeve të pasura, kjo nuk po rezulton fare e lehtë.
Në vitin 2007, Banka Botërore publikoi një raport të titulluar “Ide për Rritjen Ekonomike”. Ky ishte dokumenti, i cili prezantoi për herë të parë në botën e akademikëve të ekonomisë fenomenin e “Kurthit të të Ardhurave të Mesme”
Viti 2007 ishte fundi i tre dekadave të arta për ekonominë botërore, me rritje të shpejtë ekonomike dhe reduktim agresiv të varfërisë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Por pavarësisht këtij bumi, që atëherë ekonomistët kishin nisur të konstatonin një paradakos. Shumë vende ngecnin në fashën e mesme të të ardhurave, pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u ngjitur në statusin e vendeve të pasura.
Sot, dy dekada me pas, termi “kurthi i të ardhurave të mesme” është jo vetëm gjerësisht popullor, por edhe një realitet i gjithëpranuar mes ekonomistëve. Por çfarë është ky kurth?
Kurthi
Aktualisht ekonomitë e botës klasifikohen në katër kategori për nga niveli i të ardhurave dhe zhvillimit. Ato, të cilat i kanë të ardhurat për frymë deri në 1145 dollarë, klasifikohen si Vende me të Ardhura të Ulëta.
Ekonomitë me të ardhura nga 1146 dollarë deri në 4515 dollarë për frymë quhen Vende me të Ardhura te Mesme të Ulëta.
Ekonomitë me të ardhura nga 4516 dollarë deri në 14 005 dollarë për frymë quhen vende me të Ardhura të Mesme të Larta. Ndërsa ekonomitë, që i kanë të ardhurat për frymë mbi 14 mijë e 5 dollarë quhen vende me të ardhura të larta.
Vrojtimet dhe studimet e shumta të ekonomistë kanë treguar se vendet lëvizin shpejt nga statusi i të ardhurave të ulëta tek ai të ardhurave të mesme. Por e kanë shumë të vështirë që të ngjiten në statusin e vendeve me të ardhura të larta. Konsideroni vetëm një statistikë.
Në 34 vitet e fundit, vetëm 34 ekonomi në mbarë botën e kanë thyer kurthin e të ardhurave të Mesme duke u iu bashkuar klubit të vendeve të pasura. Mesatarisht vetëm 1 vend në vit. Por pse është kaq e vështirë të kapërcesh kufirin e 14 mijë dollarëve për frymë? Tashmë ekonomistët i kanë më të qarta arsyet.
Në stadet e para të zhvillimit, rritja ekonomike është e lehtë. Raporti mes kapitalit dhe prodhimit është përgjithësisht i ulët. Dhe teksa vendet hapen me botën, mjafon vetëm rritja e investimeve për të prodhuar rritje të shpejtë ekonomike dhe për të lënë pas vagonin e vendeve të varfra.
Por raporti mes kapitalit dhe prodhimit është inkremental. Sa më lart vendet ngjiten në shkallaren e të ardhurave, aq më shumë kapital nevojitet për të prodhuar një njësi shtesë prodhimi. Ndryshe fenomeni njihet si ligji i produktivitetit marxhinal rënës.
Studimet empirike tregojnë se pika e thyerjes është niveli i të ardhurave për frymë 8 mijë dollarë. Sapo vendet arrijnë këtë nivel të ardhurash, akumulimi i kapitalit fillon të japë të ardhura rënëse, ndërsa rritja ekonomike hyn në fazë ngadalësimi. Shqipëria është sot në këtë nivel.
Për të provuar se pas këtij niveli të ardhurash, investimet nuk mjaftojnë më për të prodhuar rritje ekonomike, mjafton vetëm një fakt i thjeshtë, që evidentohet në raportin e fundit të Zhvillimit Botëror të BB. Stoku i kapitalit fizik dhe atij human në vendet me të ardhura të mesme është mesatarisht sa 70 për qind e atij në SHBA. Por prodhimi për punonjës është vetëm 20 për qind. Atëhere cila është formula për të thyer vijën e të ardhurave të larta?
Receta
Receta magjike që rezulton nga eksperienca e vendeve të suksesshme është ajo e 3 I-ve. Investime, Infuzion dhe Inovacion. Në fazën e parë nevojiten investimet. Më vonë teksa prodhimi marxhinal i kapitalit fillon të bjerë, kërkohen dy tranzicione.
I pari është tranzicioni nga investimet tek infuzioni. Ky nuk është asgjë tjetër, përveçse transferimi i teknologjive nga ekonomitë e avancuara. Qeveritë në vendet me të ardhura të mesme të ulëta duhet t’i shtojnë strategjive të orientuara nga investimet masa për të futur teknologjitë moderne dhe proceset e suksesshme të biznesit nga e gjithë bota në ekonomitë e tyre kombëtare. Kjo kërkon riformatimin e zonave të mëdha të industrisë vendase si furnizues globalë të mallrave dhe shërbimeve.
Pasi përfundon kjo fazë kërkohet dhe një tranzicion i dytë. Është kalimi nga infuzioni tek inovacioni. Në këtë fazë nuk mjafton thjesht të kopjosh teknologjitë nga bota e zhvilluar, por duhet të inovosh edhe së brendshmi. Për të plotësuar këtë tranzicion nevojitet një sistem arsimor efiçent, që prodhon kapital human dhe punonjës me aftësi të larta.
Shqipëria
Për fatin e keq Shqipëria ka ngecur në fazën e parë. Atë të investimeve, të cilat në pjesën e tyre dërrmuese shkojnë drejt sektorëve të patregtueshëm si ndërtimi dhe turizmi.
Përqëndrimi i investimeve në këta sektorë nuk lejon transferimin e teknologjive të avancuara nga jashtë dhe përhapjen e tyre në ekonominë kombëtare për të rritur produktivitetin. Jo më kot sot Shqipëria është jashtë zinxhirëve global të ofertës, pasi nuk prodhon dot asgjë, aq me tëpër produkte të avancuara industriale.
Dhe ndërsa rritja ekonomike e vendit është tashmë në cikël të qartë ngadalësimi, shpresa për t’u bërë një ekonomi e zhvilluar dhe vend më të ardhura të larta po duket gjithmonë e më shumë një ëndërr e marrë peng nga kullat, resortet e bregdetit dhe injoranca që prodhon me bollëk sistemi i rrënuar arsimor./Kapitali.al