Turizmi, suksesi zhgënjyes i verës

Ksamil beaches. Four islands. The bay. Ksamil. Albania. Sandy embankment. The Ionian Sea. The Tetran Islands archipelago. An uninhabited island. Albanian Maldives. View from above. Drone shooting

Turizmi, edhe këtë vit, pritet të ketë bilanc pozitiv, duke tejkaluar vitin më të mirë historik që është 2023, por sezoni veror në vetvete zhgënjeu. Qershori dhe pjesa e parë e korrikut, sipas strukturave akomoduese në disa rajone, patën rënie të rezervimeve me 15-25%, teksa gushti paraqitet më mirë. Për Sarandën dhe Ksamilin, operatorët turistikë pohojnë se ky është një sezon më i dobët se një vit më parë. Turizmi individual i rërës dhe detit në tërësi regjistroi sukses zhgënjyes, ndërsa segmenti i turizmit të organizuar duket se po njeh rritje të vazhdueshme. Volumi i kontratave me garanci në Golem, Durrës dhe Vlorë për verën 2025 ka shënuar rritje me 20%. Verën tjetër rikthehen nordikët me chartera nga aeroporti i Vlorës.

Nertila Maho

Shqipëria, e kthyer në një destinacion viral gjatë vitit 2023, ka arritur të tërheqë pranë vetes edhe në 2024 një numër të konsiderueshëm turistësh që sidomos në periudhën janar-maj krijoi idenë se vera do të ishte një sukses i padiskutuar.

Por duket se pritshmëria dhe realiteti nuk arritën të materializoheshin plotësisht, duke krijuar një efekt disi zhgënjyes për sezonin veror ku muajt qershor, korrik dhe më pak gushti kanë shfaqur luhatjet e tyre.

Në terma të flukseve turistike, shifrat zyrtare raportojnë se kemi më shumë turistë, në terma të konsumit dhe qarkullimit të përgjithshëm, trendi është i kundërt, të paktën nga ajo që thonë strukturat akomoduese dhe bar-restorantet.

Për korrikun, shifrat zyrtare tregonin se hyrjet e shtetasve të huaj ishin me rritje vetëm 2.7%, teksa të gjithë muajt paraardhës ishin me rritje dyshifrore me një rekord të shkurtit kur rritja ishte 55.35% në raport me shkurtin 2023.

Kjo konfirmonte pak a shumë shqetësimin e bizneseve turistike se gjatë qershorit dhe deri në mes të korrikut, numri i rezervimeve ishte më i ulët se një vit më parë.

Në total, në vendin tonë, deri në fund të korrikut hynë 6.36 milionë shtetas të huaj, por edhe pse kjo shifër ishte 23% më e lartë se 7-mujori i një viti më parë, konsumi në shërbime turistike mbeti i vakët.

Kjo sipas operatorëve turistikë ka të bëjë së pari me faktin se marketimi gjerësisht si një destinacion i lirë ndryshoi tipologjinë e turistit që po na viziton dhe për rrjedhojë, edhe tendencën e tyre në shpenzime.

Së dyti, rritja e çmimeve në disa raste me dyfishim të tyre në disa rajone, solli hezitimin e një grupi të konsiderueshëm (kryesisht italianë mes të cilëve pati anulime). Së treti kishte një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës.

Edhe pse në shifrat e raportuara, ky grup rezulton me rritje mbi 22% deri në maj, në fakt sipas strukturave akomoduese në zonën e Durrësit, Golemit, Velipojës e Shëngjinit, prania e tyre ka qenë ka qenë më e ulët.

Diçka e tillë pritej pas liberalizimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti, por një efekt frenues mund ta ketë dhënë edhe perceptimi se Shqipëria u bë e papërballueshme në verë.

Mes gjithë ngjyrave që shfaqi ky sezon veror, ajo që u vu re ishin disa pësime dhe mësime/reagime të shpejta siç ishin çmimet, të cilat u korrigjuan në fillim të korrikut dhe që do të mundësojnë që edhe ky vit të mbyllet pozitivisht edhe pse jo aty ku synohej.

Kontributin kryesor në korrigjimin e gabimeve të verës pritet që ta bëjë vjeshta, me turet kulturore që sipas operatorëve turistikë do të jenë në nivele të kënaqshme.

Hyrjet e turisteve sipas muajve gjate 2023 1146

Burimi: INSTAT

Saranda dhe Ksamili, sezon më të dobët se 2023, më shumë turistë, por kursimtarë

Në fund të kësaj vere është më e lehtë të bësh një bilanc për tre muajt kryesorë të saj dhe sipas operatorëve turistikë, Saranda dhe Ksamili patën një sezon më të dobët se viti 2023.

Arben Çipa, administrator i Sipa Tours dhe njëkohësisht pjesë e Shoqatës së Hotelierëve në Sarandë, pohon se numri i turistëve është më i lartë, por tipologjia e tyre, ku kemi të bëjmë me turistë kursimtarë ka sjellë më pak të ardhura te bizneset.

“Është një sezon më i keq se viti i kaluar. Ka më shumë turistë, por ka më pak të ardhura, sepse ka ndryshuar tipologjia e turistit. Nga një destinacion për familjarë, ku dominonte mosha e mesme dhe e tretë, e gjetëm veten me një turist të ri, që nuk preferon të shpenzojë, por të eksplorojë me sa më pak para.

Ndryshimi i kësaj tipologjie klientele, solli si efekt zinxhir që në fillim, konsum më të ulët, të ardhura më të pakta, tension të shtuar për përshtatje, por edhe zhurmë. Ksamili, e për rrjedhojë edhe Saranda, u bënë në pak kohë destinacione të reja, të promovuara botërisht dhe morën vëmendje të madhe.

Precedentët kanë treguar se në një destinacion turistik që është identifikuar si i ri, në rast se prevalon deri në masën 70% mosha e re si klientelë dhe kjo zgjat deri në 5 vjet e pandryshueshme, ky destinacion rrezikon të dështojë”, – pohon z. Çipa.

Sipas tij, në muajin gusht vihet re një ndryshim i lehtë në klientelë, në Sarandë dhe Ksamil, ku tashmë përveç të rinjve kishte një numër të shtuar të moshës së mesme.

“Ne kemi si të dhëna të krahasueshme ato të Portit të Sarandës dhe hyrjet janë në rritje, në periudha të caktuara apo ditë të caktuara kishte edhe 10-15% më shumë se vjet.

Janë kryesisht perëndimorë, italianë, francezë por edhe më gjerë. Ka një numër të lartë kombësish dhe tashmë e kemi kaluar atë fazën kur na bie në sy, pasi multietniciteti po bëhet normalitet.

Gushti plotësoi disa boshllëqe, sepse erdhi mosha e mesme, pra familjet, që munguan në qershor dhe një pjesë të korrikut. Ky grup ka një sjellje tjetër në shpenzime. Një lloj efekti, e pati edhe korrigjimi që u bë në muajin korrik me çmimet”, – shprehet z. Çipa.

Sipas tij, tregu mund të rregullojë veten në bazë të kërkesë-ofertës, por rritja e menjëhershme e çmimeve, në fillim të sezonit dha efekt befasues te turisti dhe jo pozitiv. Si një destinacion që promovohet i lirë por në fakt nuk rezulton i tillë, turisti ka tendencë t’i japë zë kësaj duke shpërndarë ndikimin.

Gjithsesi, sipas tij, Shqipëria në tërësi vijon të mbetet konkurruese dhe më ekonomike në raport me të tjerët, nëse krahasojmë cilësinë apo gastronominë që ofrojmë, “që është absolutisht në nivele të larta”.

Niveli i shërbimit, sipas tij, është ende në evoluim në aspektin pozitiv, por mungesa e profesionalizmit mbetet e dukshme.

Një tjetër debat që ka ndjekur këtë sezon në gjithë vendin ka qenë ai për plazhet publike dhe praninë e shtuar të shezlloneve. Saranda dhe Ksamili ofrojnë mundësinë e plazhit publik, por parcelat për këtë janë mjaft të kufizuara.

“Saranda ka plazh publik, por jo në hapësira të konsiderueshme për të përballuar numër të lartë turistësh. Këto hapësira plotësojnë kërkesën e vendalinjve dhe të akomodimeve që janë afër me to, por nuk ka plazhe publike të shfytëzueshëm në çdo kënd të qytetit. Pra, hapësirat që janë lënë, nuk janë zgjidhje, por sajim”– pohon z. Çipa.

Por cilat janë në fakt sfidat apo masat që duhet të merren në vijim?

“Në aspektin turistik duhet të nisë buzëqeshja, s’ka ka ardhur ende. Turistët na kanë ardhur dhe po kështu edhe të ardhurat, por buzëqeshja ende jo.

Kjo ndoshta është e para. Së dyti duhet të merren masa për anarkinë e shërbimeve turistike me individë që dalin në rrugë e bëjnë biznes pa emër, pa NIPT, kur duan dhe si duan, pasi kjo prish cilësinë, por edhe dëmton konkurrencën”, – shprehet ai.

Lidhur me muajt në vijim, ai mendon se shtatori do të jetë një muaj i mirë për Sarandën dhe Ksamilin pasi përgjithësisht frekuentohet nga mosha e mesme dhe e tretë, pasi edhe temperaturat bien dhe çmimet janë më ekonomike.

“Do të kemi një shtator stabël, si çdo vit, por në vijim mendoj se Saranda duhet të kthehet tek ajo që di të bëjë më mirë, që është turizmi familjar.

Edhe Ksamili po ashtu. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të kemi rini si klientelë, ajo duhet të jetë patjetër, por duhet orientuar në zona të caktuara ku ndihen mirë.

Ne si rajon duhet të riformatojmë ofertën, duke e përshtatur atë për të gjithë kategoritë duke na mundësuar kështu qëndrueshmëri më të lartë.

Burimi: INSTAT

Ngadalësohet turizmi në korrik, numri i të huajve u rrit me vetëm 2.7%%

Pas muajve të tërë me rritje dyshifrore, turizmi në muajin korrik u rrit me vetëm 2.7%, duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi dhe duke konfirmuar situatën që operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese raportonin në pjesën e parë të këtij muaji.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve tregojnë se në korrik hynë 1.81 milionë të huaj, duke e çuar totalin e hyrjeve të këtij grupi në 7 muajt e parë të vitit në 6.36 milionë, me rritje 23.2% në raport me 7-mujorin e një viti më parë.

“Gjatë muajit korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ky tregues ka shënuar rritje me 2,7%, krahasuar me korrik 2023. 2.350.448 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 805.829, me rritje 2,8%, krahasuar me korrik 2023.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.818.378. Ky numër është rritur me 2,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” thuhet në publikimin e INSTAT.

Në fund të qershorit dhe në pjesën e parë të korrikut strukturat akomoduese në bregdet dhanë shenja të qarta pesimizmi për rezervimet, të cilat ishin më të ulëta se pritshmëritë, teksa efekti zinxhir që dha rritja e çmimeve në disa rajone shkaktoi anulime masive kryesisht të italianëve.

Strukturat kanë konfirmuar një prani më të ulët të shtetasve të Kosovës në zonën e Golemit por edhe në Jug të vendit, dhe disi më e pranishme në Shëngjin dhe Velipojë, dy tregje me çmime më ekonomike dhe të frekuentuara tradicionalisht prej tyre.

Ecuria më e mirë e turizmit, sipas operatorëve turistikë nisi të regjistrohej në pjesën e dytë të korrikut, teksa korrigjimi i çmimeve në një pjesë të strukturave dhe bregdetit ndikoi pozitivisht gushtin, i cili ka pasur prani relativisht më të mirë turistike sesa korriku, sipas tur-operatorëve.

Sipas tyre, këtë ngadalësim të sezonit veror pritet ta kompensojë vjeshta, e cila gjithashtu duket se do të ketë ecuri më të mirë se viti i shkuar, si efekt i rezervimeve paraprake.

“Në korrik 2024, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës. Europa Jugore zë 71% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga Kontinenti Europian, ndjekur nga Europa Qendrore/Lindore me 10%

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99% të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë te të afërm, etj.

Në korrik 2024, ky tregues ka shënuar rritje me 3,7%, krahasuar me korrik 2023. Rritje të ndjeshme në muajin korrik kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 50,9%” vlerëson INSTAT.

“Në muajin korrik 2024, 704.699 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7%, krahasuar me korrik 2023.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2024 janë 1.645.749. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 14,3%” nënvizon publikimi.

Të huajt në hotele u rritën me 53.1%, pas Kosovës, italianët dhe polakët

Strukturat akomoduese në vend konfirmuan rritje të numrit të vizitorëve të huaj, por edhe rezidentëve gjatë qershorit.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë edhe për një rritje të përgjithshme të net-qëndrimeve, duke sjellë në vëmendje se deri në muajin e 6 të vitit, lulëzimi i sektorit të turizmit ishte në ditë të mira.

“Në muajin qershor 2024, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë:

Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 40,1%, në krahasim me qershor 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 18,4%; numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 49,9%.

Numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me qershor 2023.

Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i net-qëndrimeve nga rezidentët është rritur me 5,9%; numri i net-qëndrimeve nga jorezidentët është rritur me 35,5%”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Burimi: INSTAT

Vizitorët

INSTAT vlerëson se gjatë muajit qershor 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 40,1%, krahasuar me qershor 2023.

“Numri i vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 43,7%.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 51,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 53,1%”, thuhet në publikim.

Por cilat janë në fakt shtetësitë e të huajve të akomoduar kryesisht në struktura? Në krye qëndrojnë shqiptarët e Kosovës, me 11.9%, dhe më pas vijnë italianët me 8.7%, polakët me 7.6%, gjermanët 5.9%, britanikët me 3.8%.

Kosova tradicionalisht ka mbajtur peshën kryesore sa i takon turizmit në vend, teksa italianët janë një grup që ka shënuar rritje të fortë nga viti në vit në tre vitet e fundit.

Polakët, nga ana tjetër, që vijnë kryesisht të organizuar në zonën e Golemit, gjithashtu kanë shtuar ardhjen në formë individuale, duke rritur peshën në tërësi te të huajt që vizitojnë vendin tonë.

Burimi: INSTAT

Net-qëndrime

INSTAT raporton se gjatë muajit qershor 2024, numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me muajin qershor 2023.

Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 20,8%.

Në Zonat Bregdetare, ky tregues është rritur me 38,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 36,9%.

Në muajin qershor 2024, numri më i lartë i net qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut” (39,5%); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (74,7%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,8%.)

Norma neto e shfrytëzimit

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9%, kundrejt 28,5% që ishte në muajin qershor 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 38,6%, kundrejt 30,5% që ishte në muajin qershor 2023.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Exit mobile version