Do të jetë Deniz Aytekin, gjyqtari me origjinë turko-gjermane, njeriu që do të vendosë drejtësi në ndeshjen e katërt kualifikuese në Grupit G të Botërorit 2018 ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit. Ndihmës të tij do të jenë Guido Kleve dhe Markus Haker, ndërsa gjyqtar i katërt Daniel Zibert. Pavarësisht moshës vetëm 38-vjeçare, ai është graduar zyrtarisht në gjyqtar të Federatës gjermane prej vitit 2004, ndërsa në vitin 2008 arriti të bëhej pjesë e Bundesligës, ku numëron mbi 100 ndeshje të drejtuara.
Prej 1 janarit 2011 mori stemën e FIFA-s, për të debutuar në arenën ndërkombëtare në shtator të 2012-ës, në sfidën kualifikuese ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Letonisë, që u mbyll me fitoren 4-1 të boshnjakëve. Aytekin ishte i pranishëm në finalet e Europianit 2012 në Poloni dhe Ukrainë, në rolin e arbitrit të zonës, në ekipin e gjyqtarëve gjermanë me kryesor Wolfgang Stark.
Një sipërmarrës interneti në jetën personale, ku është pronar i një kompanie me 75 punonjës që shfrytëzon përzierjen e teknologjisë me kuptimin klasik të të bërit biznes, Deniz Aytekin është një gjyqtar, që sipas statistikave të këtij sezoni nxjerr mesatarisht 4 kartonë të verdhë për ndeshje, por tregohem i kujdesshëm në ndëshkimin me karton të kuq.
Gjatë këtyre kualifikueseve të Kupës së Botës drejtoi sfidën ndërmjet Sllovenisë dhe Anglisë, që përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në të kaluarën gjyqtari turko-gjerman është kritikuar për ngjarjet në sfidën Mali i Zi-Rusi, të luajtur në mars 2015. Arbitri nuk e ndërpreu menjëherë ndeshjen pas flakadanit që goditi portierin mik, Akinfeev, me sfidën që u pezullua pas hedhjes së sendeve të forta në fushë dhe Rusinë që fitoi në tavolinë.
Ndërkohë, sfida e 12 nëntorit në Antalia ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do të drejtohet nga një njohje e vjetër e shqiptarëve, Tamas Bognar. Arbitri hungarez ishte kryesori i sfidës së 6 tetorit, ku kombëtarja kuqezi fitoi 2-0 në fushën e Lihtenshtejnit. Katërshja përbëhet nga asistenti Zsolt Varga dhe gjyqtari i katërt Ferenc Karako, edhe ata të pranishëm në fitoren e Shqipërisë, ndërsa ndryshimi i vetëm lidhet me asistentin e dytë, Balazs Buzas.