Turqi, autoblindat patrullojnë, problemet mbeten

Pas tentativës së dështuar për puç në Turqi sërish vazhdon të jetë nën fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Gjendja të kujton fundin e viteve 1990, kur qeveria turke zhvillonte luftë kundër kurdëve

Të gjitha dyqanet janë të hapura dhe nëpër rrugë gëlojnë njerëzit. Në Stamboll nuk ndihet shumë gjendja e jashtëzakonshme, që shpalli presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan pas tentativës së dështuar për puç. Në qytetet e mëdha qarkullojnë automjete të blinduara, imazh ky, me të cilin janë ambientuar prej kohësh njerëzit në zonat juglindore të Turqisë. Gjendja e fundit e jashtëzakonshme më 1987 u vendos nën Kryeministrin Turgut Özal. Ai duhej të luftonte Partinë kurde të Punës, PKK.
Në provincat e banuara kryesisht prej kurdëve në juglindje qeveria e atëhershme me këtë masë ia arriti qëllimit – e krijoi kësisoj premisat për mijëra vrasje të pazbardhura, tortura sistematike, djegien e fshatrave dhe të tjera shkelje të të drejtave të njeriut.
Shumica e popullsisë turke këtë e konsideron tashmë histori. Sepse në vendin me gati 79 milionë banorë, 47 milionë kanë lindur pas vitit 1980, kur pat ndodhur një puç ushtarak më pak i bujshëm. Më shumë se gjysma e të gjithë turqve asnjëherë nuk janë konfrontuar me një grusht shteti – deri sivjet më 15 korrik.

Kujtim ndaj të vdekurve
“Familja më ka treguar për grushtet e atëhershme të shtetit”, thotë studentja 19-vjeçare Lorin Dogantürk për “DW”. “Por është vështirë ta përfytyrosh, që këto mund të ndodhin përsëri sot”. Kjo vajzë e re thotë se, ka shqetësime nga pagjumësia, që nga nata e tentativës për puç: “Zhurma e avionëve që fluturonin, lajmet, prej të cilave mësonim se çfarë po ndodh, rritja e numrit të të vdekurve, bombat – më duket se në çdo çast këto mund të ndodhin sërish”.
Kujtimi ndaj 246 njerëzve të vdekur, që u vranë natën e 15 korrikut, është ende i gjallë në Stamboll. Në sheshin “Taksim” është vendosur një pllakatë, ku mund të lexohen emrat e viktimave, monitorët paraqesin në metro dhe nëpër autobusë fotografitë e të vdekurve.
Disa banorë të Stambollit gjendjen e jashtëzakonshme e konsiderojnë si qetësuese. “Deri më sot nuk kam përjetuar diçka të tillë. Ajo mund të jetë efikase – dashtë Zoti”, mendon 27-vjeçari Ibrahim Kuncu. Derisa të dënohen të gjithë përgjegjësit për puçin, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. “Ne qëndrojmë pas shtetit tonë”, shton ai.

“Forcë dhe shpresë”
Pronari i dyqanit Kenan Seker pret nga shteti turk, që ai t’i kapë sa më shpejt të jetë e mundur puçistët. “Unë nuk do ta harroj gjatë gjithë jetës sime natën e 15 korrikut”, thotë 40-vjeçari. Pasi ai ndoqi në televizor bombardimin e godinës së Parlamentit doli në rrugë. Pak pas kësaj ai mësoi se si një ndërtesë ushtarake aty pranë u pushtua prej masës së njerëzve. “Kur pamë që masa e njerëzve nëpër rrugë po rritej vazhdimisht, kjo na dha forcë e shpresë”, kujton Kenan Seker.
Ligjet, që tani janë në fuqi, i kujtojnë gazetarit Fehim Isik vitet 1990. “Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme qeveria ka mbledhur pushtet të jashtëzakonshëm rreth vetes”, mendon ai. Ai nuk u beson përbetimeve të Presidentit Erdogan, që gjendja e jashtëzakonshme ka të bëjë vetëm me puçistët, që kanë infiltruar në shtet, sipas tij.

Konflikte të reja, receta të vjetra
“Për fat të keq është e pamundur të mos bëhesh pesimist lidhur me këtë çështje”, thotë Isik. Politika represive e qeverisë lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është alarmuese. “Madje në kohët e konfliktit masiv nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme”, thotë Isik duke iu referuar konfrontimit të vazhdueshëm mes forcave turke të rendit dhe PKK-së. Qëndrimi i qeverisë është sot më brutal se para 30 vjetësh.
“Ata që e drejtojnë vendin nuk mund të veprojnë verbërisht. Sa ka të bëjë kjo me politikën ndaj kurdëve, madje ajo nuk u përmbahet as ligjeve të veta”, vëren gazetari Isik. Nuk besoj që qeveria e Erdoganit do të jetë e hapur seriozisht ndaj kurdëve, thotë ai. Isik arrin në konkluzionin se, “vetëm pasi Erdogani të arrijë atë që dëshiron, pra kontrollin e plotë ndaj vendit, situata mund të ndryshojë”.

Exit mobile version