Të paktën 66 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spital pasi një zjarr shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya në provincën veriperëndimore Bolus të Turqisë.
Zjarri raportohet se filloi në restorantin e hotelit dhe u përhap në të gjithë ndërtesën 12-katëshe për shkak të pamjes së jashtme prej druri. Deri më tani, shkaqet mbeten të panjohura, sipas Hurriyet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, kohë kur shumica e pushuesve ishin në gjumë, gjë që e vështirësoi edhe më shumë situatën, raportojnë mediat turke. Sipas guvernatorit të rajonit, Abdulaziz Aydin, në hotel qëndronin 234 të ftuar.
Videot e telefonave celularë kapën skena tronditëse, me vizitorët që lidhnin çarçafë për t’u zbritur nga dritaret, ndërsa të tjerët bërtisnin për ndihmë. Dy nga viktimat u vranë pasi u hodhën nga ndërtesa në panik, tha guvernatori.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u informua për incidentin dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tundes njoftoi hapjen e një hetimi për zjarrin, duke emëruar gjashtë prokurorë dhe një ekip prej pesë ekspertësh.