Turqia do të pezullojë Konventën e të Drejtave të Njeriut

Mediat perëndimore njoftojnë se zëvendëskryeministri turk ka pohuar se Turqia do të pezullojë përkohësisht Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky është një akt i paprecedentë dhe i paimagjinueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar të BE-së.
Dje në mëngjes, qeveria turke njoftoi se Presidenti Erdogan ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë 3-mujore. Gjendja e jashtëzakonshme e lejon Presidentin dhe Kryeministrin turk të anashkalojnë Parlamentin për miratimin e ligjeve të reja, si dhe u jep atyre të drejtën të kufizojnë të drejtat dhe liritë bazë të qytetarëve.
Pezullimi i Konventës Europiane u heq qytetarëve turkë të drejtën të ankimohen në Strasburg për shkeljen e lirive të tyre, duke bërë kështu të pacenueshëm autoritetin e Presidentit turk për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Këto masa janë justifikuar me nevojën e eliminimit të pasojave të grushtit të dështuar të shtetit dhe mbylljes së çdo mundësie për rrezikimin e rendit shtetëror në Turqi.
Praktikisht ato po zyrtarizojnë klimën e dhunimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke i hapur rrugën pushtetit absolut të Presidentit Erdogan, i cili po e shtyn vendin drejt një diktature të mirëfilltë.

Artikulli paraprakEuro në pikiatë, bie nën niveli 136 lekë. Më i ulëti nga viti 2010
Artikulli tjetërBlerjet on line, mbi 120 mijë transaksione në muaj, ja milionat që shpenzojnë shqiptarët