Turqia i dorëzon SHBA-së 4 dosje për ekstradimin e Gylen

Po përgatitet një kërkesë zyrtare ndaj SHBA për dorëzimin e Gylenit, deklaroi para shtypit në Stamboll Ibrahim Kalin, zëdhënës i Presidentit, Rexhep Tayyip Erdogan. Nëse SHBA do të këmbëngulin që ta mbajnë në Pensilvani Fethulla Gylenin, atëherë populli do të nisë të besojë se amerikanët “e mbrojnë predikuesin”, tha Kalin. Në fund të fundit ekziston një numër i mjaftueshëm momentesh dyshimi.
Sipas zëdhënësit të Presidentit, përpjekja e fundit për përmbysje u mbështet nga një fraksion shumë i vogël brenda ushtrisë. Por kjo nuk do ta dobësojë as luftën kundër “Shtetit Islamik”, as kundër ekstremistëve kurdë. Kalini i përshkroi forcat e armatosura si “kështjellën e fundit” të rrjetit të Gylenit.

Goditje kundër mediave të Gylenit

Në kuadër të masave shtetërore kundër Gylenit, autoriteti turk i telekomunikacionit “RTÜK” mbylli 24 stacione radioje dhe televizive, sepse gjoja kishin lidhje me lëvizjen e predikuesit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të “RTÜK” radiostacioneve iu hoq licenca.
Qeveria e Ankarasë i ka përcjellë tashmë katër dosje SHBA për – siç u shpreh në Parlament Kryeministri Binali Yildirim – “dorëzimin e kryetarit të terroristëve” Gylen. “Ne do t’u dërgojmë atyre më shumë dëshmi seç duan të kenë”, shtoi ai.
Uashingtoni deri tani e ka kundërshtuar një dorëzim të predikuesit islamik, i cili që prej vitit 1999 jeton në SHBA. Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry tha se për këtë duhet të paraqiten dëshmi të qarta dhe jo të ngrihen vetëm kritika. Gyleni vetë kundërshton të jetë përfshirë në ndonjë mënyrë në përpjekjen për puç kundër Erdoganit, me të cilin më parë ai ishte aleat i ngushtë, kurse tani janë armiq të betuar.
75-vjeçari Gylen jeton në lokalitetin Saylorsburg në shtetin federal amerikan Pensilvani. Vendi në të cilin është tërhequr ai është territori i gjerë i ruajtur për 24 orë në ditë i Golden Generation Worship and Retreat Center. Ai u largua në vitin 1999 në SHBA, për t’i shpëtuar një procesi gjyqësor në Turqi, pasi qe ngritur akuza se ai po përpiqet të ndërmarrë një përmbysje islamike në vendin e tij.

Mijëra arrestime të reja në Turqi

Në Turqi, njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë kundër përpjekjes së dështuar të puçit ushtarak, ndërkohë që Presidenti Erdogan është shfaqur më i fuqishëm se kurrë. Ai ka shtuar thirrjet për rikthimin e dënimit me vdekje, ndërsa protestuesit po e mbështesin gjatë tubimeve në orët e mbrëmjes. Ndërsa Turqia vazhdon arrestimet në masë të zyrtarëve të ushtrisë dhe më gjerë, kritikët akuzojnë zotin Erdogan se po e shfrytëzon puçin për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të konsoliduar më tej pushtetin.
Mbështetësit e zotit Erdogan po bëjnë thirrje për rikthimin e dënimit me vdekje.
“E kuptoj tani se disa prej këtyre komandatëve ushtarakë janë tradhtarë. Jo të gjithë, por një pjesë e vogël prej tyre. Nuk do ta ndalojnë terrorizmin për vite me radhë. Pra, po punojnë prapa krahëve tanë”. Si tregues i pushtetit të krijuar pas puçit, portretet e zotit Erdogan kanë zëvendësuar ato të Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne.
Ndërsa vazhdojnë spastrimet, minoritetet në Turqi shqetësohen se nacionalizmi në rritje mund t’i shndërrojë sërish në objektiva. Në lagjen “Okmeydani” të Stambollit, anëtarë të sektit alevi i ndjekin lajmet me shqetësim.
“Duke qenë se jam alevi, jam i shqetësuar. Pres të ndodhë diçka pasi nuk e dimë se në ç’drejtim po shkon vendi”.
Zoti Erdogan u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të vazhdojnë të dalin në rrugë dhe ata kanë dalë çdo mbrëmje.
“Thirrjet që turmat të dalin në rrugë janë një politikë e re. E filluan si festë e demokracisë, por po i përdorin turmat si një element represiv dhe frikësues”. Me konfirmimin dhe konsolidimin e pushtetit të zotit Erdogan, pikëpyetje të reja ngrihen nëse mposhtja e puçit po forcon demokracinë apo thellon ndasitë.

Exit mobile version