Turqia, partner i rëndësishëm strategjik! BE dëshiron të rifillojë negociatat me Erdogan për migrimin dhe lehtësimin e vizave

Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik, prandaj BE-ja dëshiron të negociojë përsëri me qeverinë turke lidhur me migrimin dhe lehtësimin e vizave.

Pas vitesh ngecjeje BE-ja dëshiron të ringjallë marrëdhëniet me Turqinë. Bashkimi Evropian ka interes strategjik për një mjedis të qëndrueshëm në pjesën lindore të Mesdheut dhe është i interesuar për marrëdhënie me përfitim reciprok, thuhet në deklaratën e miratuar në Bruksel nga krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së.

Megjithatë thelbësore është nëse Ankaraja do të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Scholz: Jo gjithmonë një partner i lehtë

“Turqia nuk është gjithmonë një partner i lehtë, por është një partner i rëndësishëm strategjik”, tha kancelari Olaf Scholz pas përfundimit të samitit të BE-së në Bruksel. Kjo vlen për “shumë, shumë çështje” tha Scholz. Kjo është arsyeja pse për Turqinë, vend aleat i NATO-s, nevojitet një perspektivë e orientuar drejt së ardhmes.

Gjermania sugjeroi që samiti i BE-së “ta mandatojë mjaftueshëm” Komisionin e BE-së që të zhvillojë negociata për një marrëveshje për migrimin me Turqinë dhe në këmbim të saj lehtësimin e vizave për qytetarët turq që duan të vijnë në BE. “Bashkëpunimi i mirë është në interes të të dyja palëve”, theksoi Scholz.

Bashkimi doganor

Përveç liberalizimit të vizave, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u shprehën edhe në favor të vazhdimit të bisedimeve për modernizimin e bashkimit doganor mes BE-së dhe Turqisë.

Pas diskutimeve 27 krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së vendosën në samitin e tyre që t’i japin mandatin përkatës Komisionit të BE-së.

Komisioni i BE është gjithashtu në favor të vazhdimit të bisedimeve me Turqinë, por kohët e fundit ka theksuar se qëndrimi relativisht jokritik i Turqisë ndaj Hamasit islamik bie ndesh me qëndrimin e BE-së, që e klasifikon këtë si një organizatë terroriste./DW

Exit mobile version