Tusk kërkon shtyrje të Brexit-it

Në zvarritjet për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, Presidenti i Këshillit të BE, Tusk do të shfrytëzojë kohën. Në Londër është bërë aktiv vetë parlamenti. Ai kërkon alternativa ndaj marrëveshjes së arritur më parë.

aPresidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk i ka ofruar sërish një shtyrje më të gjatë të Brexitit Britanisë së Madhe. “Duhet të jemi të hapur për një shtyrje të gjatë, nëse Britania e Madhe e rishqyrton strategjinë e saj të Brexitit”, tha Tusku para Parlamentit Evropian në Strasburg.

Ai u bëri thirrje deputetëve që në rast nevoje ta mbështesin një pjesëmarrje të britanikëve në zgjedhjet evropiane në maj. Ka “një shumicë në rritje njerëzish” në Britaninë e Madhe, që duan të qëndrojnë në BE, e argumentoi Tusk propozimin e tij. Deputetët e BE nuk mund të “tradhëtojnë”zgjedhësit proevropianë britanikë.

Me këtë Tusku iu drejtua atyre parlamentarëve, të cilët kanë frikë se me një pjesëmarrje të Britanisë së Madhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në parlament do të hyjnë sërish shumë kundërshtarë të BE. Një mënyrë e tillë të menduari është e papranueshme, tha Tusku.

Ai tërhoqi vëmendjen për rreth gjashtë milionë britanikët, të cilët nënshkruan së fundi një peticion në internet për qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE. Më tej ai foli edhe për rreth një milion vetët, që dolën në fundjavë në rrugët e Londrës për të kërkuar që Britania e Madhe të qëndrojë në BE.

BE i ofroi së fundi Britanisë së Madhe një shtyrje të daljes nga BE deri në 22 maj, nëse Dhoma e Poshtme voton këtë javë në mbështetje të marrëveshjes së negociuar midis kryeministres Theresa May dhe BE. Përndryshe, në 12 prill, qeveria britanike duhet të paraqesë lutje për një shtyrje më të gjatë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet evropiane ose edhe të tërheqë kërkesën për të dalë nga BE.

Po të mos ndodhë kjo, Britania e Madhe do të dalë me pasoja që priten të rënda ekonomike, për të dyja palët, në mënyrë të parregullt nga BE.

Dhoma e Poshtme debaton për opsione të tjera
Këtë Dhoma e Poshtme në Londër kërkon ta pengojë me çdo kusht. Deputetët kanë marrë në dorë kontrollin për procesin e Brexitit dhe do të votojnë më vonë për alternativa ndaj Marrëveshjes së Brexitit.

Në Londër u tha se po shqyrtohet edhe opsioni, që Dhoma e Poshtme të miratojë marrëveshjen me BE dhe kryeministrja May të ofrojë nga ana e saj dorëheqjen. Më parë qe parashikuar që Brexiti të ndodhte këtë të premte.

Exit mobile version