Tusk reagon pas senatorëve: Përpjekje për destabilizim në Ballkan

Situata në Ballkan ka qenë sërish në qendër të vëmendjes të Bashkimit Europian gjatë diskutimit mbi konkluzionet e samitit europian të 9 dhe 10 marsit në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk nuk ka fshehur se ka forca të brendshme dhe të jashtme që po punojnë me zell për të destabilizuar rajonin e Ballkanit, ndaj ishte e rëndësishme që liderët europianë të rikonfirmonin mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të rajonit, si dhe angazhimin për reformat e integrimit dhe vazhdimin e projekteve në rajon. “Ne diskutuam për situatën e tensionuar në Ballkan gjatë darkës së punës së samitit europian. Ishte e qartë për të gjithë që forca të brendshme dhe të jashtme po punojnë me zell për të destabilizuar rajonin. Ndaj liderët europianë rikonfirmuan mbështetjen e qartë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën europiane të rajonit. Ne gjithashtu shprehëm angazhimin dhe përkushtimin tonë të plotë për reformat proeuropiane dhe projekteve në vijim në rajon. Bashkimi Europian i mbetet besnik premtimeve të bëra në samitin e Selanikut, si dhe ruajtjes së stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Shpresoj që ky sinjal pozitiv për rajonin do të dëgjohet”, është shprehur Donald Tusk, President i Këshillit Europian. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker pranon, se rajoni i Ballkanit është më i vështiri në Europë dhe se i duhet ofruar përkujdesja e duhur. “Ne patëm një debat intensiv mbi Ballkanin Perëndimor. Dua t’ju them këtu në emër të Komisionit Europian, të përfaqësueses së lartë të BE-së që është njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, që ne duam t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit një perspektivë të qartë. E di shumë mirë se kur kam thënë në fillim të mandatit tim, se nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE, kjo ka shkaktuar konfuzion në Ballkan. Por ne vazhdojmë negociatat me vendet e rajonit. Ballkani është rajoni më i komplikuar në Europë kështu që duhet t’i ofrojmë rajonit të gjithë përkujdesjen e duhur dhe konkluzionet e 27 shteteve anëtare në samit reflektojnë qartësisht qëllimet dhe ambiciet tona për Ballkanin”, është shprehur Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian. Gjatë diskutimit të grupimeve politike, kryetari i grupimit të Partisë Popullore, Manfred Veber ka thënë qartë, se në kontekstin aktual nuk është realiste që Turqisë t’i ofrohet një anëtarësim i plotë në BE, por mund t’i ofrohet një partneritet për lëvizjen e lirë, arsimin dhe fusha të tjera. Grupimi i liberalëve në Parlamentin Europian përmes kryetarit Guy Verhofstad ka propozuar ngrirjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE. Në Samitin e Selanikut në vitin 2003 ishte shprehur mbështetje që një ditë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE.

Artikulli paraprakMediat amerikane jehonë letrës së senatorëve drejtuar Tillersonit
Artikulli tjetërBasha: Si e përdori Rama rrjetin e Sorosit