Shumë lloje drogash eksportohen nga Shqipëria, veçanërisht heroina dhe marijuana. Kështu raporton Televizioni SRF në Zvicër, i cili i referohet dëshmisë së një ish-agjenti shqiptar të drogës. Ish-polici ka zbuluar dhe denoncuar metoda të reja të trafikut, duke zbuluar edhe lidhjet me një politikan të rangut të lartë, saktësisht me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ish-agjenti shqiptar thotë se, shteti shqiptar e terrorizon për shkak se ka zbuluar trafikantë droge, të cilët po qarkullonin me veturën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pas një urdhër arresti ndaj ish-oficerit të Policisë shqiptare, ai iku në Zvicër, ndërsa Shqipëria kërkon ekstradimin e tij, raporton midis të tjerave TV zviceran, SRF, duke i kushtuar një hapësirë, ish-agjentit, në emisionin e tij, “10vor10”.
Zëdhënës i Zyrës Federale të Drejtësisë ka konfirmuar kërkesën e Shqipërisë dhe ka bërë me dije se, polici shqiptar është marrë në pyetje. Ai gjithashtu ka pasur rastin të prononcohet më gjerësisht me shkrim. Sipas zëdhënësit autoritetet zvicerane do të shqyrtojnë kërkesat e tij. Nëse ato janë vetëm arsyetime pa mbulesë, atëherë kërkesa e tij për mbrojtje në Zvicër mund të refuzohet, ka thënë zyrtari zviceran, sipas Dialogplus.
Në intervistën dhënë emisionit “10vor10” ish-polici shqiptar ka treguar se ka qëndruar gjashtë muaj në burg. Ai ka njoftuar se çfarë ka arritur të zbulojë gjatë punës së tij kundër trafikantëve të drogës në Shqipëri.
“Arsyeja kryesore e arrestimit tim kanë qenë hetimet kundër kontrabandistëve të drogës. Kam ndaluar njerëz, kur ata po udhëtonin me veturën e ministrit të Brendshëm shqiptar. Ata ishin kushërinj të ministrit të Brendshëm”, ka deklaruar ai.
Ambasada e Shqipërisë nuk ka dashur të deklarohet për këtë rast. Ministria e Brendshme dhe e Drejtësisë e Shqipërisë po ashtu nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve zviceranë. Polici shqiptar ka treguar për televizionin zviceran për metodat e reja të kontrabandës, të cilave u ka rënë në gjurmë gjatë vitit 2014: Një metodë është transporti i drogës me avionë të vegjël. Polici thotë se ka zbuluar disa pista ilegale. Këto hetime janë konfirmuar pas zbritjes së dhunshme të një avioni në një plazh shqiptar dhe detyrimit të një avioni për zbritje polici shqiptar tani jeton me familjen e tij në Zvicrën veriore. Kërkesa e tij për azil po shqyrtohet. Nëse pranohet kërkesa për azil, familja nuk mund të kthehet me detyrim në Shqipëri.