Edison YPI
U futa në atë luginë për t’u dehur me nektarin e bukurisë së fshatrave me shtëpi të gurta rrëzë maleve buzë lumit, me pllajat mahnitëse, lëndinat e blerta, dhe një mijë bukuri të tjera si nëpër ëndërra. Por doli ndryshe nga sa e kisha parashikuar. U deha për të dehur, por në një mënyrë tjetër, me një tjetër nektar.
Kalimtarë anës rrugës, muhabetçinj nëpër kafenera, sehirxhinj nëpër veranda, madje edhe bujq nëpër ara, të gjithë të qeshur, të gjithë buzagaz, të gjithë euforikë me një entuziazëm të brendshëm që u shpërthen nëpër fytyra.
Për ta parë nga afër këtë lumturim lokal rural që mungon nëpër qytetet plot me kafepirësa të mrrylët, duke u kthyer me marsh mbrapsht te një kafene që sapo e kalova, shkatërroj një Ford që se nga doli prej një shtegu anësor. Tym, e krisma, e cifla xhami. Shoferin e shpëtoi fati nga vdekja. Kuriozët që mblidhen në të tilla raste, ata që në një vend tjetër në të njëjtat rrethana janë seriozë, këtu janë çuditërisht të qeshur, madje shend e verë, sikur nuk u përplasën dy makina, por dy gota rakie. Mes tyre, i dëmtuari, ai të cilit ja shkatërrova makinën dhe e bëra të shohi vdekjen me sy, gjithashtu qesh. Madje polici që bëri këqyrjen përkatëse, edhe ai buzagaz, thotë se kjo këtu është hiçgjë, në një aksident tjetër ku kishte qenë pak më tutje para një ore, shqyer mes llamarinash mbytur në gjak, kishte parë tre të vdekur.
Në vazhdim të rrugës përgjatë luginës së euforisë së papërmbajtur, shumë më mahnitëse se shtëpizat e gurit, pllajat e gjelbëra, kënga e bilbilit, ura e lashtë mbi lumë, shushurima e përroit, e njëjta mrekulli, të gjithë të qeshur.
Disa fshatarka të reja veshur sipas modës me kanotjera të shkurtëra dhe rripa mbi supa, bëjnë selfie dhe çuçuçu vesh më vesh duke u shkrirë së qeshuri me njëra-tjetrën.
Një mesogrua me pamje të lumtur duke ecur anës rrugës tund belin sipas muzikës që i vjen nga kufjet në vesh.
Dy banorë, edhe ata të qeshur, që thanë se ishin krushq, më luten t’i marr. Kur i pyes ku duan të shkojnë, thonë emrin e një katundit që e kisha lënë pas. Ore, ejani në vete, u them, keni lajthitur drejtimin. Kërkojnë të falur, falenderojnë, dhe ikin duke qeshur.
Nëpër qëndrat e fshatrave s’ka dasëm, fejesë, synetllëk, aheng. Nuk është as ndonjë e kremte fetare. Megjithatë një qef i dridhshëm pa shkak të dukshëm vërtitet në ajër nëpër ato fshatra.
Pse je në qef, ke pirë raki? pyes një Rrahman me trastë në dorë që i thërrisnin shkurt Mane. Nuk kam pirë raki, tha Mania, thjesht jam në qef.
Në një lokal në mesin e një fshati, dy tavolina, një brenda një jashtë, shtruar me të mirat e dynjasë, mish, sallam, djath, mjaltë, byrek, raki, birrë, dhe shumë-shumë eufori, shumë qef në fytyrat e tyre. Ndal për ta parë nga afër, dhe ndoshta kuptuar arsyen, e gjithë atij qefi. Mendova se qeshnin e bërtisnin për inat të kurvit që i la me dhjetëra vjet pa bukë, pa kripë, pa zemër, dhe tani po shfryjnë dufin, po marrin hakun. Jo-jo, s’po marrim hakun e kurvit, thanë, kurvin e kemi harruar, thjesht jemi në qef, thjesht po gëzojmë ditët tona, Ymrin që na ka falur Allahu.
Pasi ha pak byrek mbretëror, i them njërit me çehre tejet optimiste dhe bullçinjtë plot me mish; Ku t’i laj duart që m’i yndyrosi fasulniku? Shko laji te ajo çesma atje tej, tha mishngrënësi i lumtur, por para se të lash duart, thuaji çesmës; Bismilah, Rrahman e Rrahim. Vajta thashë “Bismilah, Rrahman e Rrahim” me zë të dridhshëm para çesmës, dhe lava duart.
Largohem nga gumëzhitja e qefit dhe qeflinjve misteriozë.
Pak kilometra më tutje në një fshat kristian takoj një të moshuar. Dukej tamam si binjaku i Sharl Aznavurit. Sharli ynë dhe gruaja e tij, me spango dhe gjilpëra të trasha në duar, bënin vargje misrash dhe specash që i varnin në mur për t’i tharë. Çehreden beli, thotë turku, surrati nuk të gënjen. Aznavuri i specave dhe misrave dinte të këndonte. Jo shqip, as fërngjisht, por rusisht.
Me ta bo lëkurën mish pule. Një këngë zemërcoptuese shpirtcfilitëse me krilla që fluturojnë mbi stepa. I qeshur dhe euforik si të gjithë, Aznavuri arbnor nuk pranon kurrsesi ta pavdekësoj në video. Mbaron këngën me krilla, nis e recitonme zjarr Pushkinin. I lutem një mbese të tij me gërshet hedhur rreth gushës si gocat e Tiranës ta bindi gjyshin të më lejojë ta bëj video këngën me krilla. Mbeska e bukur nuk e bind dot Aznavurin e qeshur dhe refuzues.
Pak më tutje anës udhës një gagaç, edhe ai i qeshur, me një shqiptim të ngecur thotë se e quajnë Hime. Rrahim të quajnë, i them. Po, thotë Rrahimi i qeshur që mezi i nxjerr fjalët.
Nga fundi i këtij panairi të qeshurash, te një kthesë shkëmbore takoj Bajramin. I rrëfej Bajramit panairin e të qeshurave që lashë pas nëpër katunde. Më thotë Bajrami; Mos u habit. Ta them unë pse qeshim ne. Unë Bajrami, Rrahmani, Rrahimi, që i takove, Bismilahu që s’pate fatin ta njohësh, Ramazani, Kristua, Muhameti, të gjithë ne shqiptarët e këtyre anëve, jo vetëm e mbjellim dhe e korrim, por edhe e tymosim hashishin, dhe qeshim e qeshim pafund, me fatin tonë qesharak.